Mbi 1.9 milionë qytetarë kanë marrë shërbimet e nevojshme pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor gjatë periudhës janar-nëntor, ndërsa të ardhurat llogariten mbi 2.3 miliardë lekë, ose 12% më shumë se në vitin 2021.

Sipas statistikave të publikuara nga DPSHTRR gjatë kësaj periudhe u shënua një rekord në numrin e shërbimeve të ofruara dhe ato risi. Referuar të dhënave, rezultojnë 2 155 266 qytetarë/subjekte të shërbyer këtë 8-mujor ose 11 % më shumë se në 8-mujorin e vitit 2021. Ndërkohë numri i shërbimeve risi të ofruara përgjatë periudhës janar-gusht llogaritet mbi 360 mijë.

“Rezultatet e arritura vijnë falë mirëadministrimit, përmirësimit të ndjeshëm të kushteve të punës dhe motivimit të ekipit, sporteleve virtuale, komunikimit dinamik, sistemeve inovative të shërbimeve online dhe informatizimit, modernizimit të infrastrukturës fizike, luftës ndaj ryshfeteve, uljes së debitorëve, rritjes së sigurisë, digjitalizimit, monitorimit, rendimentit, transparencës, fiskalizimit, si dhe afrimit me klientin”, bëri të ditur DPSHTRR.