Adriatik Doci

Paralajmëruan një shtator të zjarrtë dhe uragan protestash që do t’i shkurtonte ditët qeverisë, por zjarri duket se ka hyrë mes dy aleatëve Sali Berisha dhe Ilir Meta, të bashkuar që në vitin 2017, si front kundër reformës në drejtësi dhe diplomatëve të SHBA-BE. Takimi i Ilir Metës me ambasadoren amerikane Yuri Kim në 23 shtator 2022, në selinë e Partisë së Lirisë, ngriti dyshimet e para për një klimë mosbesimi dhe fërkimesh mes Metës dhe Berishës, të cilët për herë të fundit janë përplasur në mars të vitit 2015, ku akuzonin dhe shantazhonin njëri-tjetrin me publik të video-skandaleve. Takimi u lexua si një devijim nga ana e Metës nga linja e Berishës, i shpallur non grata nga SHBA dhe në një raport të ‘ngrirë’ me Ambasadën Amerikane në Tiranë.

Që kur Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli Berishën non grata në 19 maj 2021, Ilir Meta ka qenë më radikal se sa vetë Berisha ndaj diplomatëve amerikanë. Meta arriti kulmin me retorikën e tij në 23 prill 2021, kur tha se “I kam thënë (Yuri Kim) që nëse keni gjë me mua më lajmëroni nëse e keni se unë e di që ju më vrisni nëse doni. Por të paktën, më çoni te Mali me Gropa dhe më lëshoni një raketë që të mos dëmtoni njerëzit e tjerë. Takimin e parë ia kam thënë zonjës, moj zonjë, je këtu për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Amerikës dhe jo mes Serbisë dhe Amerikës”.

Pavarësisht kësaj deklarate, për të cilën Kuvendi i Shqipërisë e shkarkoi si President, ndonëse e mbajti Gjykata Kushtetuese, Meta priti në zyrën e tij ambasadoren Yuri Kim, takim i cili duket se tronditi Rithemelimin. Pas takimit, Meta tha se i qëndronte deklaratës kundër shpalljes non grata të Berishës, por shtoi se “Ne nuk bëjmë zgjedhje mes z. Berisha dhe Amerikës. Ne kemi programin tonë, i cili është i pavarur”.

Pas takimit të Metës me Yuri Kim, Sali Berisha ftoi kryetarin e PD-së zyrtare Enkelejd Alibejan për t’u bashkuar, duke shpërfillur nga ana tjetër thirrje e Metës për të caktuar bashkë kandidatët për zgjedhjet lokale. Nuk dihet nëse kjo lëvizje e Berishës ishte një përgjigje sfiduese ndaj Metës apo thjeshtë për llogari politike. Nga ana tjetër, Enkelejd Alibeaj, i cili përfaqëson linjën e Bashës në PD, ka deklaruar vullnetin për t’u bashkuar me PD-në e Berishës, me kushtin e distancimit nga Meta. Berisha dhe Alibeja kanë caktuar dy përfaqësues për modalitetet e bashkimit.

Berisha po këmbëngul për t’u afruar me PD-në e Lulzim Bashës, të cilën Meta e konsideron si opozitën e shitur dhe që i shërben Edi Ramës. Ndërkaq, pas lëvizjes së Berishës, Ilir Meta ka modifikuar qëndrimet në raport me aleancën parazgjedhore me Berishën. Nëse më parë Meta i bënte thirrje Berishës për të caktuar kandidatët e përbashkët, pas afrimit të Berishës me Alibeajn, Meta thotë se aleancën do ta bëjë me shqiptarët.

“Së pari aleanca e Metës është me qytetarët e Shqipërisë, sa u takon problemeve të brendshme në PD kam ndërhyrë vetë të mos bëhen… Jo vetëm kaq kam qenë unë që i kam nxjerrë nga çadra edhe kur kam qene president dhe pse ishte skenar i Bashës dhe Ramës. Nuk dua të ndërhyj, ne kemi raportin tonë me qytetarët e Shqipërisë, e kemi me demokracinë, me luftën kundër korrupsionit dhe oligarkëve”, tha Meta.

Pyetjes për një koalicion me një PD të bashkuar, pra edhe me PD-në zyrtare të Bashës dhe Alibeajt, i devijoi edhe Sekretari organizativ i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, i cili tha se “E para çështja e brendshme është e tyre dhe ne s’jemi marrë ne me situatën e tyre. 25 prilli tregoi qartë bashkëpunimin e Ramës dhe Bashës, por kjo është situata e tyre e brendshme. Ne do të jemi një forcë politike e vendosur qartazi në opozitë, kjo përgjegjësi u takon atyre”./Shqiptarja.com