Kryeministri Edi Rama pa mbrëmjen e sotme nga afër përfundimin e punimeve të Parkut të Shtëpisë së Pavarësisë, Vlorë.

Gjatë inspektimit të punimeve Rama tha se, janë ndezur edhe emrat e firmëtarëve nëpër oborrin e shtëpisë muze.

“Një punë e bërë me dashuri të veçantë dhe përulësisht mirënjohës ndaj etërve themelues të shtetit shqiptar”, tha ai.

Rama zhvilloi dhe homazh te etërit e Pavarësisë emrat e të cilëve janë skalitur në qendër të parkut.

Ai tha se është një homazh, mendoj i denjë dhe u shërben gjithë vizitorëve dhe atyre që vijnë nga Kosova, Maqedonia e Veriut nga trevat e tjera, atyre që vijnë nga diaspora por edhe fëmijëve sepse realisht është një libër i hapur në faqen ku janë gjithë firmëtarët e Pavarësisë.

Rama shtoi se, i gjithë parku është i bukur por emrat e vendosur janë një qershi mbi tortë dhe tani ka marrë një fizionomi.

Janë vendosur në park 10 emrat e ministrave dhe 40 firmëtarët e Pavarësisë.

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë është një tjetër hapësirë fantastike e Vlorës së Rilindur, e cila do t’u ofrojë fëmijëve, gjyshërve, familjeve dhe vizitorëve e turistëve, një mundësi të re në qytet.

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë është i vendosur në hapësirën këmbësore nga rrethrrotullimi i Skelës, deri tek porti.

Ai lidh bulevardin e ri “Ismail Qemali” me Lungomaren.