Të gjithë studentët që jetojnë në Tiranë do t’i marrin abonetë falas. Në takimin e forumit “FABER”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj iu rikthye edhe njëherë lajmit të mirë për studentët, por ironizoi edhe analistët që u revoltohen dy ditë më parë pse televizionet dhanë lajmin për abonetë falas dhe konviktet e reja për studentët.

“Pashë një analist që ishte i terrorizuar, që tha: “Si u ndërpre analiza ime në banak, për të cilën unë paguhem të bëj si gjitholog për tërmetin, për pandeminë, për vaksinat, për urbanistikën, për kullat, si ndërpritet kjo nga kryetari i Bashkisë që jep një lajm të tillë?” Por, sërish bëj pyetjen: Jemi këtu t’u pëlqejmë të gjithëve, apo t’u shërbejmë të gjithëve? Sigurisht, shumica e analistëve dhe ‘banakiereve’ në televizionet e Prishtinës dhe Tiranës nuk kanë hipur asnjëherë në autobus. Shumica prej tyre, të paktën këta të Tiranës, kanë lindur në Bllok, janë përkundur në prehrin e udhëheqësve, dhe nuk kuptojnë fare nga jeta reale”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se vendimi për abonetë falas të studentëve është marrë për t’i lehtësuar ata nga kosto e jetesës. “Është një kohë e vështirë, duhet t’i gjendemi njëri-tjetrit. Një nga grupet më vunerabël janë studentët që vijnë nga qytete të tjera, të cilët nuk janë rezidentë të Tiranës, pra nuk paguajnë taksa, dhe nuk votojnë këtu. Po ta shikosh nga ana politike, thua: Ky nuk është problemi im. Por ti e kupton se 9 nga 10 studentë që vijnë në Prishtinë ose në Tiranë, do rrinë aty pasi të diplomohen. Do krijojnë familje aty, do jenë pjesë e qytetit. Ndaj, morëm një vendim dhe thamë: Ne do paguajmë abonenë e studentit. Ne duam që studentët të vijnë nga kudo. Të vijnë nga Tropoja, nga Tepelena, nga Presheva, nga Përmeti, të vijnë nga Tuzi, nga Këlcyra, nuk ka rëndësi. Kush vjen student në Tiranë, do t’ia paguajmë ne abonenë sepse kryesisht studentët lëvizin me mjetet e transportit publik”, tha kryebashkiaku Veliaj.