Një ngjarje e rëndë u regjistrua në fshatin Klos të Mallakastrës, ku një i moshuar u dhunua barbarisht nga dy grabitës të armatosur që hynë në banesën e tij me qëllim për të vjedhur paratë.

Ngjarja është regjistruar mëngjesin e së shtunës, ku persona të armatosur hynë në banesën e shtetasit Çaush Shehaj, 89 vjeç. Pasi e kanë dhunuar të moshuarin, autorët u larguan prej andej me një shumë parash. Burri i moshuar u dërgua me urgjencë për në Spitalin rajonal të Fierit, duke përfunduar në reanimacion për shkak të gjendjes së rënduar. Por, një ditë më vonë, pra gjatë ditës së diel, Shehaj ka gjetur vdekjen duke mos arritur t’i mbijetonte plagëve të marra.

“Rreth orës 08:00 të datës 19.11.2022 është njoftuar salla operative se në orën 02:30, në fshatin Klos, Mallakastër, kishte ndodhur një vjedhje me dhunë, në një banesë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën për zbardhen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i personave që, nën kërcënimin e armës së zjarrit, i morën me dhunë një shumë parash, shtetasit Ç. Sh., 89 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”, tha Policia në njoftimin e parë. E besueshme ose jo, 89-vjeçari, Çaush Shehaj, është masakruar për një shumë të vogël parash që autorët kanë marrë nga banesa e tij. Në shtëpinë e të moshuarit tanimë të ndjerë, janë grabitur 50 mijë lekë të vjetra, për të cilat Shehaj u godit me sende të forta.

ARRESTIMET

Pas ngjarjes së rëndë, forcat e rendit kanë nisur hetimet dhe kanë identifikuar autorin e vrasjes së të moshuarit. Në pranga përfunduan Musa Gudo. 28 vjeç, dhe Ervis Halimi, 22 vjeç, të cilët nën kërcënimin e automatikut, i kanë marrë një shumë parash brenda banesës së të ndjerit. Lidhur me ngjarjen, policia procedoi penalisht edhe 16-vjeçarin F.Ç, i cili akuzohet për “moskallëzim krimi”. “Bazuar në provat e grumbulluara, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në ndërveprim me të gjitha strukturat e DVP Fier dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Klosi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve E Ervis Halimi, 22 vjeç, banues në Fier dhe Musa Gudo, 28 vjeç, banues në Portëz, Fier. Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi F. Ç., 16 vjeç, banues në Roskovec, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarri tip automatik me një krehër me fishekë”, sqaroi Policia. Fillimisht, ndaj të rinjve rëndonte akuza e “vjedhjes me dhunë” e kryer në bashkëpunim, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajt ja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, por pas vdekjes së të moshuarit gjatë së dielës në Spitalin e Fierit, Policia ka riklasifikuar veprën penale ndaj dy autorëve, duke i akuzuar ata për “vjedhje me pasojë vdekjen”.

PRECEDENTI

Ky është rasti i dytë që familja Shehaj në fshatin Klos të Mallakastrës bie pre e grabitjes, por kësaj here, ishte fatale për të moshuarin, i cili mbylli jetën e tij në rrethana barbare. Vjedhja e parë ka ndodhur më datë 18 mars të vitit 2021. “Gjithashtu, sqarojmë se edhe për vjedhjen e ndodhur më datë 18 mars 2021, në banesën e shtetasit Ç. Sh., Policia e Mallakastrës, pas denoncimit të bërë nga shtetasi Ç. Sh., ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, më datë 20 mars 2021, për veprën penale ‘Vjedhja’”, sqaron Policia.

Fqinji: E kanë masakruar. Trupi është i tëri i zi

Një i afërm i viktimës, ka deklaruar se Çaush Shehaj ishte grabitur edhe herë të tjera, ndërsa gjatë grabitjes së të shtunës, autorët e kanë masakruar atë. Ai tregon gjithashtu dramën në familjen Shehaj, të cilët jetonin të vetëm, ndërsa kishin sjellë në jetë 4 fëmijë. I afërmi deklaron se trupi i të ndjerit është masakruar. “Jetonte me gruan, kishte probleme me gruan, sepse ishte me sklerozë dhe jetonin bashkë në kushte jo shumë të favorshme. Ata jetonin vetëm, i kishin vajtur një javë përpara për t’i vjedhur, kjo ishte hera e dytë. Punoi tërë jetën e tij dhe mblodhi 5 lekë dhe ato 5 lekë ia morën dhe dhunë. Ata mendonin për lekë të madh, po ai i kishte lekët në bankë, ka 4 fëmijë, 3 në Greqi dhe 1 në Francë. Jemi indinjuar, por shteti nëse ka shtet e ligje, të të vrasin në shtëpinë tënde. E kanë vrarë në 2 të natës lakuriq, e kanë shëmtuar masakruar nga fytyra, e brinja, nuk i duket mishi fare”, tregon i afërmi.