Premier League është në javën e 15-të. Këtë të shtunë u zhvilluan disa nga ndeshjet e kampionatit elitar në Angli. Manchester City fitoi në minutat e fundit 2-1 me Fulham, duke iu falur një penalltie në të 95 minutë. Leeds fitoi 4-3 në shtëpi me Bournemouth, teksa Nottingham barazoi 2-2 me Brentford. Wolves u mposht në shtëpi 2-3 me Brighton.
Në “Etihad Stadium” Manchester City fitoi 2-1 me Fulham. Dueli u hap nga Alvarez në minutën e 16 të ndeshjes, teksa Pereira në minutën e 28 vendosi ekuilibrat. Për skuadrën e Guardiolës punët u vështirësuan në të 26 minutë, kur Cancelo doli me karton të kuq. Do duhej minuta e 90+5 e ndeshjes që Haaland me penallti të siguronte tri pikët dhe përkohësisht kreun e renditjes për “Qytetarët”. Me 32 pikë, City merr kreun e Premier League me një pikë më shumë se Arsenal. “Topçinjtë” e Artetës kanë një ndeshje më pak, teksa Fulham me 19 pikë qëndron në vendin e tetë.