Komisioni për Integrimin Evropian shqyrtoi sot projektligjin “Për informacionin e klasifikuar”. Të ftuar për këtë projektligji ishte ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, Dorjan Tola, drejtor i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe stafi shoqërues.

Spiropali në prezantim të projektligjit u shpreh se, inicimi i këtij projektligji lidhet me nevojën për të përditësuar kuadrin ligjor për informacionin e klasifikuar dhe për të harmonizuar dhe përshtatur sa më mirë kuadrin ligjor për disiplinat e informacionit të klasifikuar me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

“Qëllimi i këtij projektligji është mbrojtja e informacionit të klasifikuar nga humbja, dëmtimi, rrjedhja, komprometimi ose ekspozimi i paautorizuar. Objekti i projektligjit është përcaktimi i parimeve bazë dhe i rregullave të përgjithshme për administrimin, deklasifikimin, zhvlerësimin dhe mbikëqyrjen e informacionit të klasifikuar gjatë gjithë ciklit jetësor të tij”, theksoi ministrja Spiropali në fjalën e saj.

Relatorja e çështjes, Gerta Duraku vuri në dukje se, ky projektligj është konform normave kushtetuese dhe i harmonizuar me legjislacionin në fuqi dhe aktet ndërkombëtare dhe kryesisht është konform legjislacionit parësor të BE dhe legjislacionit dytësor të BE. Pas diskutimeve, komenteve, pyetjeve dhe sugjerimeve të ndryshme, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi, së bashku me ndryshimet e propozuara gjatë diskutimeve.