Pas 3 javësh, pedagogët vendosën që të ndalin bojkotin dhe sot do të kthehen në auditore. Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi paralajmëroi se nuk kanë hequr dorë nga kërkesat, por do të ketë bojkot të provimeve të shkurtit nëse qeveria nuk i merr parasysh.

Kovaçi u shpreh se ishte e domosdoshme që t’i jepnin fund bojkotit duke qenë se studentët po shpenzonin para për jetesën në Tiranë, ndaj thekson se zgjodhën këtë veprim për të mos dëmtuar vitin akademik. Por nëse nuk zhvillohen provimet e semestrit të parë, ato të shkurtit, do të jetë sërish problematike për studentët.

“Dua të denoncoj faktin që 3 universitete kanë premtuar që do financojnë 8%. Ne jemi për 30%. Në Shkodër është miratuar 2%. Kjo është skandal. Nuk ka asnjë shans që të parashikojë financimin e 8% shtesë. Ne jemi që ky 8% s’duhet të jepet nga universitetet. Nuk ka asnjë mundësi që të financohen pagat e pedagogëve. Shumë shpejt do të dëgjohemi se çfarë do të ndodhë me këtë 8%.

Nëse deri në shkurt nuk finalizohen kërkesat tona, do ketë bojkot të provimeve. Erdhi situata e nevojës për të mos dëmtuar procesin arsimor, nuk kishte kuptim për bojkot më shumë se 3 javë. Zëvendësimi i 3 javëve nuk ka asnjë problem. Qëndrimi ndaj qeverisë nuk është zbutur. Do ketë bojkot më të plotë në rast se nuk reagon qeveria”, tha Kovaçi.