Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri komentoi deklaratën e sotme të Berishës për protestë më 6 dhjetor kur në Tiranë do të vijnë drejtuesit e lartë të shteteve anëtare të Bashkimit Europian për të diskutuar mbi integrimin e Ballkanit Perëndimor. Live nga Cërriku ku ishte prezent në bilancin e punëve të bëra nga kjo bashki, numri dy i socialistëve u shpreh Berisha dhe Meta duan që t’i vënë njollë Shqipërisë në sytë e ndërkombëtare, duke cenuar në këtë mënyrë dhe traditën e bukur të shqiptarëve, atë të mikpritjes. “Ne nuk duhet të bëjmë eksperimente të gabuara politike. Kemi dy njerëz të cilët tani janë ricikluar përsëri. Fatkeqësisht historia I solli të bashkohen bashkë aty ku kanë qenë në fakt se gjithmonë bashkë kanë qenë dhe e keni parë që kanë filluar të trumbetojnë me gjuhën e egër të destablizimit apo me ato akuzat e tyre të shfrenuara vetëm e vetëm që të pengojnë zhvillimin e këtij vendi dhe ky është realiteti. Dhe për atë protestën që bënë para një jave, nuk kemi asgjë. Ama të bësh thirrje për mosnjohje rezultati apo po u prek vota do të përmbys, do të djeg vendin apo të japësh mesazhe që ne jemi kundër ndërkombëtareve apo tani që zhvillohet Samiti në Tiranë që vijnë kryeministrat e Europës për Ballkanin Perëndimor në Shqipëri, në Tiranë ku Shqipëria merr flamurin për ta udhëhequr këtë proces, ku angazhohen, merren përsipër të financohen miliona e miliona euro për zhvillimin e infrastrukturës në Ballkan dhe në Shqipëri, dhe janë projekte goxha të mëdha që lidhin Ballkanin, vendet e Ballkanit me njëri-tjetrin, doli Sali Berisha sot thotë do i mikpresim fshatçe. Pra do të thotë duan të protestojnë, duan që t’i vënë njollë prapë Shqipërisë, duan që dhe këtë, normalisht akt mikpritjeje që kanë shqiptarët për miqtë e huaj në dobi të integrimit të vendit, ata duan të bëjnë të kundërtën. Duan të japin mesazhin që Shqipëria nuk është stabël, Shqipëria nuk është ajo që në fakt është realiteti. Por duan realitetin paralel të krijuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta”, tha Gjiknuri.
Numri dy i socialistëve nënvizoi se dyshja Berisha dhe Meta fyen dhe shqiptarët dhe kombin duke dhënë një imazh jopozitiv të vendit në një kohë kur diskutohet për të ardhmen e vendit dhe zhvillimin e Shqipërisë. “Deklaruan sot që do bëjnë protestë meqënëse vijnë kryeministrat e Bashkimit Europian në Shqipëri. Çfarë është kjo, dashuri për vendin? Për të mirën e vendit?! Përkundrazi, leqë shqiptarët se kanë pasur ndonjëherë zakon që miqtë t’i presë me zhurmë dhe me rrëmujë, përveçse ndonjërit kur pi ndonjë gotë, por përgjithësi, shqiptarët dinë të presin ashtu siç duhet. Atëherë çfarë do ti të bësh? Ti do të japësh dhe të transmetosh imazh tjetër për Shqipërinë? E pra këta janë , ata që flasin në emër të vendit nuk bëjnë as respektin minimal që i takon këtij kombi aq më tepër kur bëhet fjalë për të ardhmen e Shqipërisë dhe për të mirën e zhvillimit të Shqipërisë. Dhe këta njerëz tani do dalin, do vijnë nëpër fushata elektorale, do sjellin dhe personazhe të reja, do kërkojnë dhe vota. Po çfarë votash do kërkojnë kur këta e kanë treguar se çfarë kanë bërë për këtë zonë. Se kjo zonë ndryshimin e vërtetë e pa me qeverisjen e majtë”, tha Gjiknuri.