Në mbledhjen e dy qeverive që po zhvillohet sot në Shkup midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kryeministri Rama foli për rëndësinë e bashkëpunimit dhe krijimin e sinergjive midis dy vendeve në këtë kontekst të një krize si pasojë e luftës.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama tha se “rikthimi i mbledhjes së dy qeverive është sot në një tjetër kontekst për shkak të luftës në Ukrainë, ku lufta në vendet tona nuk ka ardhur me bomba por me çmime stratosferike të energjisë në tregjet ndërkombëtare dhe inflacionin e luftës”.
“Në këtë kontekst rruga për përballimin e këtyre sfidave është bashkëpunimi dhe adoptimi me një situatë kur ne në rajon jemi shumë të vegjël për të qëndruar me kurriz nga njëri-tjetri. Gjithashtu jemi në kontekstin kur të dyja vendet kanë çelur negociatat dhe kanë hedhur një hap shumë të madh përpara. Të dyja vendet kanë bërë një përgatitje për të projektuar të ardhmen edhe në mënyrë kolektive si vende të së njëjtës zonë, si në Ballkan edhe në Bashkimin Europian”.
“Besoj se Ballkani i Hapur na ka dhënë shumë mundësi për të kuptuar si ta kapërcejmë të djeshmen dhe për të projektuar një të ardhme që të rrisë mundësitë për të përfituar më shumë. Do të vazhdojmë të jemi mbështetës të palëkundur edhe të Procesit të Berlinit, duke i parë dy nismat si pjesë të njëra-tjetrës, jo si përjashtuese.”
“Është koha të projektojmë më shumë më tepër forcë dhe ambicie drejt të ardhmes, dhe të marrim maksimumin sot nga këmbëngulja për të krijuar një sinergji më të plotë me BE. Mbështetja nga BE për përballimin e krizës është lajm i mirë, po nëse mbajmë parasysh se janë rialokim i fondeve IPA ndaj vendeve tona duhet të jemi më kërkues dhe ambicioz ndaj BE, nuk duhet të mjaftohemi me këtë hap, i cili në fakt është hap më i madh sesa në periudhën e pandemisë’ vijoi Kryeministri.