Kryeministri Edi Rama tha sot se qeveria do të mbështesë financiarisht të rinjtë që janë të talentuar, por që nuk kanë mundësi ekonomike për të ndjekur kurset e kodimit.

Në një bashkëbisedim në Korçë me vajza dhe djem aktivë në vetëpunësimin përmes teknologjisë, angazhimin me art për të gjithë dhe përfshirjen në sport, Rama tha se “Korça është bërë një lloj lokomotive edhe për të tjerët, se ka qendrën e informacionit, si dhe programin me Kosovën”.

Rama theksoi se “dëshirojmë t’i krijojmë mundësi të rinjve të kenë mundësi sa më të mira”.

Duke iu drejtuar të rinjve kodues, Rama tha se “ju keni edhe një barrë tjetër, si dallëndyshet e para të kësaj vale të re të na ndihmoni për ta konkretizuar që kjo është diçka konkrete që sot teknologjia të jep mundësinë që pa lëvizur nga vendi jo vetëm në Korçë, por edhe në fshat, të kesh një lidhje interneti, një kompjuter e punësohesh në çdo vend të botës”.

Rama tha se po vijon puna për përpilimin e një projektligji që do të rregullonte pjesën legjislative për ata të cilët i quajti “nomadë digjitalë”.

“Fitojnë aq sa kanë frikë se i kap drejtoria e Tatimeve të Korçës, nuk kemi ende një legjislacion të rregulluar për ata, po bëjmë ligjin për nomadët digjitalë”, tha Rama.