Alba Malltezi/Nuk e di që kur dhe si nisi urrejtja për librin, por këtë e kam ndjerë shumë sa as në rrjete sociale dhe as në rubrikën time, nuk preferoj më të flas. Ishte një kohë që edhe ngulja këmbë, me postime, ide, shkrime. Në fund të fundit puna ime si gazetare nisi me librin. Më pëlqente shumë edhe të dhuroja libra, por edhe të mos i kërkoja mbrapsht kur i huazoja. Një libër i dhënë, nëse përvetësohet, mendoja, është dashuruar shumë. Deri kur një ditë, një e njohur, që kishte planifikuar të grindej me mua, më shau edhe nga libri që i kisha dhuruar. Kush mund të të shajë nga një libër?! E megjithatë, ndodhi. Nuk mora guximin ta pyesja se ç’i kishte bërë librit? E kishte djegur? Flakur? Dhunuar? Torturuar?
Një libër të pëlqen ose nuk të pëlqen, e kupton ose nuk e kupton, të vlen ose nuk të vlen, është për ty ose jo dhe mund të qëndrojë përjetësisht i paprekur në një bibliotekë të bukur prej druri ahu, ulliri a arre. E megjithatë, ka libra dhe autorë që marrin një konsensus kombëtar, ndërkombëtar ose Universal. Për shembull “Komedia Hyjnore” e Dante Alighierit, është nga ato krijime që nuk resht së ndriçuari dhe së dhëni mesazhe fantastike që nga i largëti 1321. Ka autorë që tashmë janë të pavdekshëm, dhe ne, normalëve e njerëzorëve, as nuk na mjafton një jetë e tërë të përthithim kryeveprat që ata na kanë lënë.
Ja, duke shkruar për urrejtjen, më kap papritur dëshira të shkruaj… për librin. Mjaft! Pakkush ndjek emisione për libra, pakkush lexon shkrimet mbi librat. Eshtë fakt. Siç është fakt që vazhdojmë t’i shesim nëpër trotuarë të ftohtë e të lagësht, pa u vënë poshtë asnjë shtrojë. Ashtu siç shisnim deri në vdekje revistat e gazetat, përdhe’, përtokë. Pastaj lindën librari luksi, apo u mbyllën bare librari të përsosura dhe panairet ku mund t’u tregojmë të tjerëve se bëjmë dhe blejmë libra dhe kjo na mjafton.
Tek ne, nuk duhet biseduar shumë për librat. Provojeni në një festë, takim mes miqsh, të nisni bisedën për librin më të fundit që keni lexuar… do të gjendet gjithnjë më “i shkathëti” që bisedën e kalon në tjetër temë. Sepse, ndoshta, për librat nuk flitet, por nga librat mësohet.
Kush lexon një libër të bukur, mbi të bën një film, një këngë, një pikturë, krijon një sjellje të ndryshme, të hijshme, të dallueshme, të veçantë.
Dhe në fund të fundit, kush lexon shumë libra, nga ata më të mirët, mëson të heshtë.