Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë që prej mbrëmjes së djeshme të gjithë territorin, vijojnë të jenë me intensitet të lartë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh zv.kryeministre, Belinda Balluku ka dalë në terren për të parë nga afër situatën në aksin rrugor Burrel-Klos.
Ajo bën me dije se akset rrugore janë të hapura dhe se të gjitha skuadrat e mirëmbajtjes së rrugëve janë në terren.
“Stuhitë kanë shkulur sinjalistikat rrugore dhe kanë krijuar probleme me pemë e gurë të rënë. Situata më e rënduar është në veri por është paraqitur e vështirë edhe në Vlorë e Durrës dhe Elbasan.
Valbona dhe Shala kanë sjellë problematikën më të madhe ndërsa në Fierzë ku prisnim të kishte më shumë reshje, atje ishin me intensitet mesatar. Akset rrugore janë të gjitha të hapura. Edhe në aeroportin e Rinasit kishte rrufe të vazhdueshme dhe e gjthë ultësira perëndimore ka pasur stuhi dhe erë. Ndërsa veriu ka pasur shi me intensitet të lartë ose të mesëm. Në aeroportin e Rinasit ka pasur disa devijime për të ruajtur avionët dhe pasagjerët nga rrufetë. Disa fluturime janë kthyer në aeroporte të tjerë ku ka pasur mot të qëndrueshëm.
Parashikohet të ketë përmirësim të motit. Sa i përket energjisë, na duhen shira sidomos në Fierzë. Ne do jemi në gatishmëri të plotë. Shpresojmë të ketë reshje të konsiderueshme në pjesën veriore ku kemi të përqendruar hidrocentralet për energjinë”, tha Balluku.