Rënia e FTX-së i ka dhënë një goditje katastrofike reputacionit dhe aspiratave të kriptomonedhave, shkruan The Economist
Rënia ishte e vrullshme dhe e shpejtë. Vetëm dy javë më parë, Sam Bankman-Fried ishte në kulmin e suksesit. FTX, këmbimi valutor i kriptomonedhës që ai themeloi, arriti vlerën 32 miliardë dollarë, ndërsa pasuria e tij arriti në 16 miliardë dollarë.
Banka Amerikane nis projektin për ‘Dollarin Digjital’! Tregu i Bitcoin rrezikohet nga monedha e re shtetërore! Anët pozitive dhe negative të një bote pa para të thata.
Për kapitalistët sipërmarrës të Silicon Valley, ai ishte gjeniu financiar që mund të mahniste investitorët dhe ndoshta do të bëhej trilioneri i parë në botë. Në Uashington, ai ishte shndërruar në imazhin e kriptomonedhës, duke komunikuar me ligjvënësit dhe duke financuar përpjekjet për të ndikuar në rregullimin e saj.
Sot, nga gjithë ky sukses, nuk kanë mbetur gjë tjetër veçse 1 milion kreditorë të xhindosur, me dhjetëra firma kriptomonedhash në falimentim e sipër, dhe një sërë hetimesh rregullatore dhe kriminale.
Rënia e shpejtë e FTX-së, i ka dhënë një goditje katastrofike kësaj industrie me një histori dështimesh dhe skandalesh. Tashmë, më shumë se kurrë, kriptomonedha duket kriminale, e kotë dhe krejt e padobishme.
Sa më shumë gjëra që dalin në dritë nga rënia e FTX-së, aq më tronditëse duket gjendja. Kushtet e shërbimit të bursës përcaktojnë se ajo nuk do të huazonte asetet e klientëve në krahun e saj tregtar.
E megjithatë, është raportuar se ajo kishte dhënë hua asete të tilla me vlerë 14 miliardë dollarë, për firmën tregtare Alameda Research, me vlerë 8 miliardë dollarë, në pronësi të zotit Bankman-Fried. Në këmbim, ajo pranoi si garanci xhitonat e saj dixhitalë, të cilat i kishte krijuar vetë.
Goditja fatale në bursë ekspozoi mangësitë e mëdha në bilancin e saj. Për më tepër, pasi FTX-ja shpalli falimentimin në Amerikë, me qindra miliona dollarë rrodhën në mënyrë misterioze nga llogaritë e saj.
Mashtrime financiare, hua të dyshimta, kolapse brenda natës – këto janë simptoma tipike të manive financiare, nga “kriza e tulipanëve” në Holandën e shekullit XVII, tek “Flluska e Detit të Jugut” në Britaninë e shekullit XVIII, dhe krizat bankare të Amerikës në fillim të viteve 1900.
Në kulmin e vitit të kaluar, vlera e tregut të të gjitha kriptomonedhave, u rrit në gati 3 trilion dollarë, nga rreth 800 miliardë dollarë në fillim të vitit 2021. Sot ajo është kthyer në 830 miliardë dollarë.
Mania e flluskave
Si në fund të çdo manie, pyetja tani është nëse kriptomonedha mund të jetë ndonjëherë e dobishme për ndonjë gjë tjetër përveç mashtrimeve dhe spekulimeve. Shpresa ishte për një teknologji që mund ta bënte ndërmjetësimin financiar më të shpejtë, më të lirë dhe efikas.
Çdo skandal i ri që shpërthen, i rrit edhe më tepër shanset që novatorët e vërtetë të tremben dhe industria të zvogëlohet. Megjithatë, mbetet një shans, sado i pakët, që një ditë të shfaqet një risi e qëndrueshme. Ndërsa kriptomonedhës po i vjen fundi, kjo mundësi e vogël duhet mbajtur gjallë.
Mes rrënojave të javës së kaluar, ia vlen të kujtojmë potencialin themelor të teknologjisë. Bankat konvencionale kërkojnë një infrastrukturë të gjerë për të ruajtur besimin mes të huajve. Në të kundërt, shërbimet publike blockchain janë ndërtuar në një rrjet kompjuterash, duke i bërë transaksionet transparente dhe në teori, të besueshme.
Funksionet e ndërveprueshme, me burim të hapur, mund të ndërtohen si shtesë e tyre, duke përfshirë kontrata inteligjente vetë-ekzekutuese që është e garantuar se do të funksionojnë ashtu siç janë shkruar. Një sistem kuponash dhe rregullash që i drejtojnë ato, mund të ofrojnë kolektivisht një mënyrë të zgjuar për të nxitur kontribuesit me burim të hapur.
Dhe rregullimet që do të ishin të shtrenjta ose jopraktike për t’u zbatuar në botën reale, bëhen të mundshme, për shembull, duke i lejuar artistët të mbajnë një pjesë të fitimeve nga rishitja e veprave të tyre dixhitale.
Zhgënjimi është se, 14 vjet pas shpikjes së shërbimit blockchain Bitcoin, pak nga këto premtime janë realizuar. Mania e kriptomonedhës tërhoqi talente të shumta, nga të diplomuarit e zgjuar, tek profesionistët e Wall Street, po ashtu edhe kapital nga firmat e kapitalit sipërmarrës, fondet e pasurisë sovrane dhe pensionet.
Është harxhuar një sasi e madhe parash, kohe, talenti dhe energjie, për të ndërtuar të ashtuquajturat kazino virtuale. Ekzistojnë versione efikase dhe të decentralizuara të funksioneve kryesore financiare, si shkëmbimet valutore dhe kreditimet.
Por shumë konsumatorë, të frikësuar se mos humbasin paratë, nuk u besojnë atyre. Pastruesit e parave, shmangësit e sanksioneve dhe mashtruesit, janë përdorues të shumtë të këtyre shërbimeve.
Duke pasur parasysh gjithë këto, një skeptik mund të thotë se tani është koha për t’i vënë kapakun kësaj industrie. Por një shoqëri kapitaliste duhet t’i lejojë investitorët të ndërmarrin rreziqe duke qenë të vetëdijshëm se do të kenë humbje nëse bastet e tyre shkojnë keq.
Edhe pse kriptomonedha ka rënë, dëmet në sistemin më të gjerë financiar, kanë qenë të menaxhueshme. Mbështetësit e FTX-së përfshinin Sequoia-n, një firmë kaliforniane të kapitalit sipërmarrës; Temasek, një fond i pasurisë sovrane në Singapor; dhe Planin e Pensionit të Mësuesve të Ontarios. Të gjithë kanë humbur para, por asnjë në mënyrë katastrofike.
Për më tepër, skeptikët duhet të pranojnë se askush nuk mund të parashikojë dot se cilat risi do të japin fryte dhe cilat jo. Njerëzit duhet të jenë të lirë t’i kushtojnë kohë dhe para nismave të ndryshme: fuqisë së shkrirjes, anijeve ajrore, realitetit virtual metaverse dhe një sërë teknologjish të tjera që mund të mos kenë ndonjëherë sukses. Kriptomonedha nuk është ndryshe.
Ndërsa ekonomia virtuale po zhvillohet, mund të shfaqen ende aplikacione të dobishme të decentralizuara. Teknologjia po vazhdon të përmirësohet. Një përmirësim në blockchain-in e Ethereum në shtator, uli shumë konsumin e tij të energjisë, duke i krijuar mundësinë të përpunojë me efikasitet vëllime të larta transaksionesh.
Në vend që të vendosin shumë ligje rregullatore ose t’i vënë kapakun botës së kriptomonedhës, rregullatorët duhet të udhëhiqen nga dy parime. Njëri është të sigurohen që vjedhja dhe mashtrimi të minimizohen, si me çdo aktivitet tjetër financiar.
Tjetri është izolimi i sistemit kryesor financiar nga përçarjet e mëtejshme. Megjithëse sistemet blockchain u krijuan posaçërisht për t’i shpëtuar ligjeve rregullatore, këto parime justifikojnë rregullimin e institucioneve që veprojnë si roje për kriptosferën.
Një hap i dukshëm është që bursa të garantojë depozitat e klientëve me asete likuide. Hapi i dytë janë rregullat e transparencës që zbulojnë për shembull, nëse në krahun tregtar të bursës është dhënë një hua gjigante dhe e kolateralizuar në mënyrë të dyshimtë.
Monedhat stablecoins, të cilat janë krijuar posaçërisht për të mbajtur një vlerë të pandryshueshme kundrejt monedhave tradicionale, duhet të rregullohen sikur të ishin instrumente pagese në banka.
Sukses apo dështim?
Çështja nëse kriptomonedha do të mbijetojë apo do të bëhet një event i dështuar financiar, nuk do të varet vetëm nga ligjet rregullatore. Sa më shumë skandale që do të dalin në shesh, aq më shumë do të përlyhet struktura dhe aspiratat e saj.
Joshja e inovacionit nuk do të shërbejë për asgjë, nëse investitorët dhe përdoruesit kanë frikë se paratë e tyre do të zhduken papritur. Që kriptomonedha të ngrihet sërish, ajo duhet të ketë një përdorim të vlefshëm, duke mos lënë vend për mashtrime./ Monitor