Policia e Shtetit ka finalizuar gjatë kësaj jave 19 operacione policore dhe ka arrestuar 96 shtetas dhe 15 persona të shpallur në kërkim si të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Operacioni i koduar “ASGJË NUK HARROHET”, i zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës çoi në zbardhjen e një vrasjeje të ndodhur në vitin 2017. Dy autorë të dyshuar të ngjarjes u vunë në pranga.

Një shtetas shumë i kërkuar për vrasje të dyfishtë me armë zjarri, u lokalizua dhe u vu në pranga nga Renea, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Lezhës, gjatë operacionit “Fundi i arratisë”, që u zhvillua në Kaçinar, Mirditë.

Operacioni i koduar “HOAX”, i zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me BKH-në, nën drejtimin e SPAK-ut dhe i koordinuar nga Eurojust, goditi veprimtarinë e mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet subjekteve call center ku u arrestuan 2 shtetas dhe u bllokuan pasuri të paluajtshme në pronësi të tyre.

Një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar u vu në pranga në kuadër të operacionit “Perugia”, i zhvilluar nga Policia italiane, në bashkëpunim me Policinë shqiptare.

Për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve janë zhvilluar 7 operacione dhe janë goditur 13 raste. Operacionet janë zhvilluar në Tiranë, Korçë, Vlorë, Elbasan dhe në Durrës.

Janë sekuestruar rreth 2.5 kg kokainë, 5 kg kanabis, një pjesë e tyre e ndarë në doza, dhjetëra doza heroine, dhjetëra tableta ekstazi, 5 peshore elektronike dhe shuma parash të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë goditur 5 raste, si rezultat i të cilave janë sekuestruar 4 armë zjarri, 1 silenciator i modifikuar, municion luftarak dhe 2 armë të ftohta (doreza metalike).

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin “Arbana”, si rezultat i të cilit u vu në pranga një shtetas në kërkim, pasi tentoi të vriste me armë zjarri, një shtetas tjetër, për motive pronësie.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar dhe goditur 15 raste, ndërsa në fushën e lojërave të fatit janë goditur 5 raste.

Pasuri të paluajtshme me vlerë 7 500 000 euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale, u sekuestruan nga Policia e Tiranës dhe ajo e Vlorës, në zbatim të vendimeve të prokurorive përkatëse.

Për goditjen e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve është finalizuar një operacion, në Gjirokastër, si dhe janë goditur 5 raste të tjera, në të gjithë vendin.

Në vijim të angazhimit nga strukturat e Policisë, në bashkëpunim me agjencitë e tjera shtetërore, janë goditur 19 raste të krimeve mjedisore, 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike dhe janë trajtuar ligjërisht 28 raste të dhunës në familje.

Nga shërbimet e Policisë Rrugore, gjatë kësaj jave janë pezulluar në total 382 leje drejtimi, nga të cilat: 315 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 51 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 16 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia Kufitare ka goditur 22 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.