Argjentina fitoi dje 2-1 me Australinë, duke siguruar një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës, teksa përballë skuadrës nga Amerika Latine do jetë Holanda. Dje në Katar, kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi luajti ndeshjen e 1000-të në karrierë duke shënuar edhe golin e parë të sfidës në ndeshjen jubilare.

Karriera e Leos nisi në 16 tetor të vitit 2004 me fanellën e Barcelonës, për të numëruar tanimë 1000 ndeshje si profesionist. Falë rekordeve dhe golave, Messi është në majën e botës.

Në 18 vite karrierë brilante, Leo numëron 1 mijë ndeshje duke shënuar 789 gola por edhe 348 pasime për gol që ua ka servirur shokëve. Golat më shumë I ka shënuar me fanellën e Barcelonës 672 ndërsa me atë të Argjentinës 94. Leo Messi po luan në Katar Botërorin e pestë dhe është bërë lojtari argjentinas me më shumë paraqitje në fazën finale 23 të tilla përkundrejt 21 ndeshjeve që ka luajtur Maradona.

Nga 23 ndeshjet në Kupa Bote “Pleshti” 16 i ka luajtur me shiritin e kapitenit në krah. Me 9 gola në fazat finale Leo kaloi Maradonën që ka shënuar 8 herë dhe është vetëm një gol larg Batistutës e nëse Albiceleste do ecë gjatë në Katar ky rekord do “thyhet”. Me këto ritme që ka Messi, Holanda duket e paralajmëruar.