Një rritje e cilësisë së qeverisjes dhe cilësisë së jetës për vitet e fundit në Shqipëri.
Kështu vlerëson Indeksi i Qeverisjes, i publikuar nga Instituti Berggruen në SHBA, ku analizohen marrëdhëniet mes llogaridhënies demokratike dhe kapacitetit shtetëror, si faktorë kyç të ofrimit të të mirave publike për qytetarët.
Për Shqipërinë, në periudhën e viteve 2000-2009 vlerësohet një rritje graduale në cilësinë e qeverisjes me 0.23% dhe një rritje e theksuar e cilësisë së jetës me 9.8%.
Sa i takon cilësisë së qeverisë, indeksi i referohet aftësisë së qeverisë për të arritur qëllimet e saj kryesore, të tilla si gjenerimi i të ardhurave, organizimi i veprimeve kolektive dhe zbatimi i politikave të saj.
Lidhur me cilësinë e jetës, indeksi i referohet nivelit në të cilin qeveria ofron të mira publike për qytetarët. Të mirat publike janë mallra të disponueshme për të gjithë, si shëndeti, arsimi dhe mjedisi i pastër.
Raporti konfirmon kështu rëndësinë e mirëqeverisjes për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe cilësisë së jetesës në Shqipëri dhe kudo.
Indeksi analizon 134 vende në 3 indekse kryesore dhe 9 nën-indekse për të shqyrtuar marrëdhënien midis Cilësisë së Demokracisë, Cilësisë së Qeverisjes dhe Cilësisë së Jetës.