Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi sot, se edhe 6 familje të tjera në pallatin në rr. “Myslym Keta” kanë firmosur marrjen e bonusin të qirasë, për të përfituar banesat e reja në lagjen “5 Maji” në kryeqytet. Veliaj i bëri thirrje pjesës së mbetur të banorëve të nënshkruajnë kontratën për të fituar banesat e reja shumë herë më të sigurta, të ndërtuara nga arkitekti i njohur Italian, Stefano Boeri.
“Janë sqaruar të gjithë. Më thuaj një emër dhe në punë sekondash të tregoj bonusin e qirasë dhe tërheqjen me faturë, tre pagesa të këtij muaji. Secila prej kurorave, edhe pse jetonte në garsoniere, merrte nga 180 mijë lekë bonus në muaj: 540 mijë lekë në xhep për tre vjet. E yshtur prej parties, thotë që këta janë zagarë dhe kriminelë. Këto nuk janë paratë e mia. Dje mësova se edhe 6 familje të grup seksioneve të PD që deri dje besonin te partia, filluan të besojnë te shteti. Partitë shkojnë dhe vijnë, por shteti ngelet ai që është. Kanë ngelur edhe 8 familje të tjera. I këshilloj të shkojnë sot, të marrin edhe ata bonusin qirasë dhe të shkojnë te ‘5 Maji’. Kam qenë personalisht te shumica e familjeve të këtij pallati, që tani janë transferuar te 5 Maji, jetojnë në një hapësirë të sigurt, në pallate të ndërtuara nga Stefano Boeri. Lanë ato të Enverit për të Boerit”, tha Veliaj.
Ai komentoi edhe akuzat e opozitës për ndërtimet në Tiranë. Veliaj u shpreh se asnjë prej politikanëve në fjalë nuk flet me emra, por vendos gjoba ndaj biznesmenëve që kanë sjellë në kryeqytet brandet ndërkombëtare.
“Sali Berisha jeton në kullë, zyrën e ka në kullë. Ilir Meta takimet i bën te Plazza. Më duket hipokrizi shumë e madhe kjo e kullave, më duket vërtetë një gjobëvënie. Por kësaj here jo me kapuç, por me kollare. Gjoba vënë edhe portalet. Gjoba vë edhe një pjesë e politikës. Shumë prej atyre që janë zëdhënës të thashethemeve për kullën janë vetë aksionerë aty. Është provuar dhe stërprovuar. Në rastin më të mirë është një xhelozi, dashakeqësi, për të sharë vendin tënd dhe për të sharë ata që investojnë, në rastin më të keq është gjobëvënie. Unë jam i vetmi që nuk kam fare hezitim t’i përmend të gjithë pronarët e kullave: Duke filluar nga Ramë Geci dhe hoteli i ri Intercontinental, te Samir Mane dhe ndërtesat cilësore që ai bën dhe punëson njerëz, nga Kastrati, nga Idajeti që po bën Marriott-in. Nëse një nga këto brandet ndërkombëtare është një grup mafioz, një njeri nga opozita duhet të ketë kurajon dhe ta thotë. Këta e paguajnë taksën 10-fish. Më vjen mirë që sot ka shqiptarë dhe marrin këto brande ndërkombëtare. Siç jetojnë këta politikanë të opozitës që e shajnë Shqipërinë. Asnjë nuk largohet nga Shqipëria. Se në një vend tjetër dy-tre vila në bregdet dhe kullat në Tiranë nuk do i kishin”, u shpreh Veliaj.