Intervista e Javanews.al me ish-ambasadorin, ish-Kryenegociatorin për integrimin në BE, Z. Zef Mazi, për zhvillimet ne Kosovë.

Pyetje: Ju jeni marrë për dekada me cështjen e Kosovës, e njihni mirë. Si e arsyetoni c’po ndodh? Ku janë rrënjët e kësaj turbullie serbe dhe të Beogradit në veri të Kosovës?

Përgjigje: Unë, ne shqiptarët, besojmë fort në arsyetimin dhe konkluzionin se Kosova ishe rast “sui generis”, për një numër arsyesh:

Së pari, qenë rethana specifike që u lidhën me këtë cështje specifike, në përputhje me një numër dokumentesh të të drejtës ndërkombëtare (janë të shumtë dokumentat; kjo mund të lihet për një rast tjetër). Atyre u shtohet shpërbërja jo me konsensus por, në fakt, me dhunë, e ish-Jugosllavisë, përmes luftrash të përgjakshme, që u provokuan nga një vend në emër të unitetit dhe integritetit të një vendi tjetër, që nuk egzistonte më.

Së dyti, shpërbërja rezultoi në dhunë masive, vrasje e djegje, represion të skajshëm, shpërngulje e përzënie masive të një populli të tërë nga shtëpitë dhe territori i tyre. Janë ende të freskëta në sytë e mendjes, cka pushtoi edhe TV e botës, pamjet e trenave të mbushur me dhjetra mijëra kosovarë; afro një milion u përzunë në grykë të pushkës, si në kohën e pogromet. Gjysma gjetën strehë në Shqipëri. gjysma tjetër në Maqedoninë fqinje.

Së treti, ajo situatë nuk ishte rastësi por vazhdim i shkeljeve konstante, të programuara, të paramenduara, të të gjitha të drejtave të njeriut dhe kombëtare, për mbi 100 vjet, nga krejt aparati shtetëror serb, deri ne 2008.

Së katërti, ajo situatë coi në vendimin për ndërhyrjen e NATOs përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit dhe në vendosjen e një administrate të OKB. Ajo, de facto dhe de jure e ndau Kosovën nga Beogradi dhe udhëhoqi punët e Kosovës që nga ajo kohe. Ka pasur diskutim rreth legalitetit dhe legjitimitetit të asaj ndërhyrje, por ky nuk është qëlllimi i kësaj paraqitje. Ajo është trajtuar dhe sqaruar me elokuencë që në atë kohë. Vendimi për cka u bë ka qënë edhe legjitim, i mbështetur në baza ligjore, dhe veprimi që pasoi, po ashtu, ka qënë plotësisht legjitim dhe ligjerisht i bazuar.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e dha vendimin që pavarësia është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, cdo përpjekje e Serbisë dje e sot është përpjekje si kur I mbyturi kërkon të kapet pas fijes të kashtës!

Pyetje: Serbet, Ruset dhe ndonje tjeter, flasin per “shkelje të integritetit territorial të një shteti”.

Përgjigje: Le të shohim krahasimisht këtë aspekt të vecantë ligjor Në rast se, sipas të drejtës ndërkombëtare, i referohemi se cilët kanë qenë aspektet legale të shpërbërjes te Republikës Federative Socialiste të Jusogllavisë (RFSJ) dhe asaj që rezultoi më pas, duket qartë se në qendër të diskutimit vjen Kushtetuta e is-RSFJ, e ashtuquajtura e vitit 1974. Ajo kushtetute i jepte Kosovës status të dyfishtë: element konstituiv, shtet-formues i RFSJ, me të gjitha të drejtat që rrjedhin prej saj, dhe provincë autonome e Serbisë. Edhe kjo nuk është aq e thjeshtë sa duket. Disa qartësime:

Komisioni Ndërkombëtar i OKB-së, që u ngrit për të dhënë opinionet ligjore rreth shpërbërjes te RSFJ, i njohur me emrin e kryetarit të tij si Komisioni Badinter, jurist i famshem francez dha disa opinione. Në Opinionin Nr 8, ky Komision thotë, „RSFJ ka pushuar së egzistuari“. Kjo do të thotë se, në rast se një shtet ka pushuar së egzistuari, automatikisht, të gjithë instrumentat ligjorë që lidhen me atë shtet, duke filluar nga ligji themelor i shtetit – Kushtetuta e vitit 1974 – përfshire edhe marrëdhëniet e Kosovës me të dhe me pjesët e tjera të atij shteti, gjithashtu kanë pushuar së egistuari, së bashku me atë shtet, atë vend dhe me Kushtetutën e tij. Prandaj, t’i bëhet referencë rregullimeve kushtetuese dhe legalitetit nuk është e bazuar, nuk shërben si justifikim.

Një tjetër komisioni ndërkombëtar – Komisioni i Pavarur i OKB për Kosovën, i ngritur nga ish-sekretari i Përgjithshem, Kofi Anan, nën bashkëkryesinë e ish Kryeministrit Suedez dhe Gjykatësit Goldstone, i pari kryetar i Gjykates Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavine në Hagë. Ai komision përbëhej nga 11 juristë të shquar të së drejtës ndërkombëtare nga gjithë vendet e mëdha. Komisioni u ngrit për të analizuar gjithë dinamikën dhe zhvillimet në Kosovë gjatë 100 vjecarit të fundit, deri në ditët e Komisionit. Raporti i Komisionit arriti në pesë konkluzione alternative:

Pasi analizon dhe i konsideron të pavlefshme, jo funksionuese për Kosovën, katër alternativat e para, raporti konsideron konkluzionin e pestë si të vetmin të mundshëm që ofron zgjidhje për statusin e Kosovës: “pavarësia e kushtëzuar”, ose pavarësia e mbikqyrur, sic quhet, është e vetmja zgjidhje e mundshme të mbijetoje, propozohet nga ai komision. Sic thuhet në raport, ndër të tjera, se “me gjithë atë që ka ndodhur në Kosovë, nuk ka asnjë shans dhe mënyrë që Kosova të mund të kthehet nën cfarëdo lloj sundimi serb”. Duhet njohur nga të gjithë, përfshirë nga Serbia, se trashëgimia e shtypjes dhe e dhunës që ushtroi regjimi i Miloshevicit e bëri përfundimisht të pamundur që Kosova të mund të rikthehet nën cfarëdo lloj kontrolli të Beogradit!

Pyetje: Marrëveshja e Dajtonit e la jashtë Kosovën. Përse?

Përgjigje: Ndonëse nuk është qëllimi të trajtohen arsyet përse ndodhi ashtu atëhere, pas Marrëveshjes të Dajtonit qe, në fakt, e la Kosovën jashtë paketës, filloi procesi i Rambujesë. U hartua një dokument që nuk u pranua nga Beogradi/ Dokumenti deklaronte, ndër të tjera se, „zgjidhja e statusit të ardhshëm të Kosovës do të bazohet në vullnetin e shprehur të popullit të Kosovës“. Kjo coi, me vonë, në Rezoluten 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Pyetje: Mireë që e përmendet, sepse isht një nga pyetjet. Vucici i referohet asaj resolute, dhe e ngren me të madhe si justifikimin për cka bën!

Përgjigje: Ajo rezolutë u „pre dhe u qep“ për të shërbyer sipas „përmasave“ specifike të asaj periudhe! Ajo rezolutë ofron vetëm një kuadër për zgjidhjen e përkohëshme të cështjes të Kosovës deri kur të jetë zgjidhur statusi final. Me gjithë respektin për rezolutat, shënoj se rezolutat e OKB nuk janë sacro sanct, nuk janë të “derdhura në celik”! Ato përpilohen nga njerezit, dhe po nga njerëzit duhet t’i nënshtrohen rishikimeve, ndryshimeve, sic mund të jetë e nevojshme sa herë që ndryshojnë apo e kërkojnë rrethanat. Duket se rezoluta 1244 ka shumë kohë që e ka kryer misionin e saj, është vjetëruar, tejkaluar nga ngjarjet dhe zhvillimet, përfshirë dhe ato të aspektit legal! Arsyet janë të qarta:

Së pari, Rez. 1244 i referohet RFJ (Republikës Federative të Jugosllavisë), dhe Kosovës, direkt apo indirekt, si pjesë e saj. Ashtu si „RFSJ pat pushuar së egzistuari“, sic e permendem më lart, po ashtu ka pushuar së egzituari edhe RFJ, kësaj radhe pa një raport të Komisionit Badinter.

Në vitin 2005, RFJ pushoi së egzituari. Juridikisht u krijua Unioni Shtetëror i Serbisë dhe Malit të Zi. Rezoluta 1244, si kuadër legal i RFJ, nuk përmend gjëkundi, as i bën referencë, qoftë edhe indirekte, këtij fakti. Kjo don të thotë se nuk e njeh këtë realitet të ri! Absurditet legalo-politik!

Së dyti, edhe ai „union shtetëror“, në fakt„ “ka pushuar së egzistuari“ pas referendumit në Mal të Zi, cka i dha shtetit të vogel ballkanik pavarësinë, që u njoh menjëherë nga komuniteti ndërkombëtar. Përsëri Rezoluta 1244 nuk e njeh as këtë realitet të ri, dhe as i referohet atij apo Serbisë si shtet më vete, por si një federate që, ligjërisht dhe praktikisht, „ka pushuar së egzistuari“ edhe dy here të tjera, në dy forma të tjera, vetëm brenda një harku kohor prej fare pak vitesh! Absurditet tjetër!

Së treti, pavarësisht nga kjo, Rezoluta 1244 as që u rimor në diskutim për të reflektuar, së paku, këtë realitet të ri, edhe pse mund të thuhet hapur se kishte arritur pika që kërkonte patjetër ndryshim të saj! Si për ta bërë këtë situatë dhe cka pasoi deri sot edhe më komike, disa kryeqytete vazhdonin dhe vazhdojnë t‘i referohen Rezolutës 1244 si kuadri legal për të zgjidhur cështjen e statusit final të Kosovës! Edhe më absurditet!

Së katërti, Rezoluta 1244 nuk vendos kufizime sa i përket qëllimit, objektivit të rezultatit të statusit. Paragrafi 11(a) shpreh shumë qartë se autonomia substanciale që Kosova do të duhej të gëzonte brenda RFJ (qe ishte gjallë në kohën kur u miratua rezoluta!) ishte vetëm një rezultat i ndërmjetëm (kohor) „deri në zgjidhjen përfundimtare“ (pending a final settlement).

Ajo rezolutë kishte vdekur para s të lindte!

Së pesti, sikur gjithë sa më laret të mos ishte e mjaftueshme për të shvleftësuar referencat e kesaj rezolute, në vitin 2006 Serbia miratoi një kushtetutë që disa u ngutën ta duartrokisnin. Njëlloj si veproi Milloshevici në 1999, kur i hoqi unilateralisht autonominë Kosovës duke injoruar vullnetin e 2 milion shqiptareve të Kosovës, kushtetuta e re serbe përcaktoi, me një vendim unilateral të Beogradit, se Kosova është pjesë e Serbisë, duke përsëritur, duke injoruar totalisht 2 milion kosovarë, sikur ata të mos egzistonin fare!!! Për më tepër, ishte e qartë botërisht se kushtetuta u ndryshua dhe u miratua unilateralisht nga qeveria serbe në mesin e procesit të përcaktimit të statusit, duke përjashtuar me atë akt cdo lloj zgjidhje dhe të ardhme të Kosovës jashtë Serbisë! Kjo praktikisht i dha fund, unilateralisht, cdo lloj shansi për të gjetur një zgjidhje të negociueshme. Kështu është dhe nuk duhet të bëjë për budalla askënd!

Së pari, sot duhet ndryshuar ajo kushtetutë që të mund të ketë sukses cdo lloj bisedimi i ndërmjetësuar në drejtim të statusit, njohjes reciproke. Pa këtë, cdo përpjekje nuk duket se mund të ketë sukses, pavarësisht si amballazhohet. Nëse nuk fillohet me këtë, cdo rast nesër do përdoret si argument, “kështu thotë kushtetuta, nuk na lejon kushtetuta”! Marrëdhëniet shtetërore fillojnë nga barazia, nga njohja reciproke politike. Pas kësaj, të gjithë rregullimet e tjera rrjedhin më lehtësisht dhe normalisht!

Ai vendim politik për kushtetutën serbe, një përsëritje perfekte e të kaluarës milosheviciane, i ve një pikëpyejte tepër të madhe gjithë ceshtjes të legalitetit të asaj kushtetute sa i përket Kosovës. Praktikisht, atë e bën të pavlefshme për Kosovën. Edhe politikisht, argumenti është mjaft i dobët.

Përfaqësuesit e zgjedhur, Drejtuesit e Kosovës, kishin dhe kanë plotësisht të drejtë kur thanë se „ajo kushtetute nuk ka të bëjë aspak dhe nuk ka kurrfarë ndikimi në cështjen e Kosovës“, duke e injoruar atë. Për rrjedhojë, e shikoj krejt me vend gjykimin se komuniteti ndërkombëtar nuk mund të jetë apo të bëhet palë në një marrëveshje që kundërshtohej nga 92 % e popullsisë të një vendi tjetër. Vec të tjerave, ajo do të ishtë në kundërshtim me prioritetin madhor të Këshillit të Sigurimit – mbrojtja dhe ruajtja e paqes dhe sigurisë.

Pyetje: Përse ngulet këmbë nga Serbia kur është e qartë gjithëcka?

Përgjigje: Historia ka provuar që asnjë komb e popull sllav i jugut nuk ka dashur të jetoje me apo nën një komb e popull tjetër sllav të jugut. Përmes luftrash, disa prej tyre, dhe me mjete paqësore disa të tjerë, të gjithë kombet dhe popujt sllavë të jugut ndoqën rrugën e pavarësisë dhe e fituan atë. Me të drejtë, pavarësitë e tyre u njohën shpejt nga komuniteti ndërkombëtar.

Shënohet se gjithë popujt dhe kombet përbërës të ish RFSJ, me përjashtim të shqiptarëve dhe hungarëve, janë sllavë të jugut. Përse, në fund të fundit, duhet që një kombi jo sllav, sic janë shqiptarët e Kosovës, t’i mohohet e njëjta e drejtë e pavarësisë kur rrjedha e zhvillimit të ngjarjeve ka qenë e tillë, dhe kur të gjithë dokumentat dhe proceset ndërkombëtare kanë folur me zë të lartë në favor të së drejtës të tyre për pavarësi!

Zgjidhja më e mirë dhe e vetme e qëndrueshme afatgjatë është ajo që përputhet, garanton dhe konsolidon vlerat themelore, si liria, drejtësia, barazia, paqa dhe siguria, etj. Kosova i ka provuar të gjitha format. Asgjë vec pavarësisë nuk do të kishte siguruar paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm afatgjatë, vetëm do të kishte ruajtur gjëndjen “as në tokë as në qiell”, pasiguri, “situatë e pambajtëshme”, sic thuhet në Deklaratën e dhjetorit 2007 të Keshillit te BE-së.

Një zgjidhje është e drejtë kur është legjitime. Zgjidhja është legjitime kur përfaqëson vullnetin e lirë të një populli. Kjo ka qenë dhe është e gjithë cështja e pavarësisë të Kosovës! Prandaj ajo gjeneron dhe garanton paqe dhe siguri të qëndrueshme afatgjatë në rajon. Ajo vendos një “ekuilibër” disi të munguar në kuptim më të gjërë (gjeo) politik –vendos barazi në statusin e popujve dhe kombeve. Për rrjedhojë, nuk mundet vec të sjellë me vete vlera emancipuese. Kujtoj një shprehje që i atribuohet një politikani të vjetër të ish-RSFJ, këshilltarit, ideologut dorë e djathte e Titos, Milovan Gjilas, “Serbia kurrë nuk do të demokratizohet nëse nuk e heq nga qafa lakun e Kosovës”.

Cdo përpjekje e Vucicit sot prodhon më shumë pasiguri, paqartësi, tensione dhe mund të cojë në përplasje. Edhe kërkesa e tij drejtuar NATO-s për vendosjen e 1000 trupave në veri të Kosovës tregon se, a) ai nuk don t’i drejtohet Qeverisë të Kosovës se ajo do ishte njohje përmes asaj kërkese, b) se ai jeton dhe mendon thellësisht ende me mitologji, si para 20 e ca vitesh!

Veprimet në veri të Kosovës duhen “dënuar” me fjalë të qarta, pa ekuivok, jo me deklarata si “as mish as pshk”. Veprimet duheshin ndaluar dje, pa humbur kohë. I gjithe territori duhet të vihet nën autoritetin e shtetit të Koaovës. Nuk ka arsye të vijojë situata “një këmbë në tokë, një në ajër”.

Shteti i Kosovës kontribuon, sic vërtetohet, në paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm afatgjatë në Ballkan.

Konflikti midis shqiptarëve dhe serbëve, thellë në rrënjët e tij, ka qenë konflikt midis dy popujve dhe kombeve, dy kulturave, gjuhëve, traditave dhe identiteteve historike të ndryshme, të dallueshme si të tilla. Në rrënjët e tij ka pasur arsye politike: ai ka qenë konflikt midis përpjekjeve të serbëve për të ruajtur sundimin dhe domininin ndaj shqiptarëve, dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe për pavarësi shtetërore politike. Nëse disa në Evropë ende nuk e kuptojnë këtë, kohë të vështira, re të zymta mund të kemi përballë. (JavaNews)