Kryeministri, Edi Rama, ka publikuar mëngjesin e sotëm foto nga ecuria e punës në kantierin e hekurudhës Tiranë-Durrës.
Hekurudha Tiranë-Durrës është pjesë e rrjetit hekurudhor europian, i cili duke nisur nga pranvera e vitit 2024 do të shkurtojë në 12 minuta distancën Tiranë-Rinas dhe në afro 22 minuta kohën e udhëtimit Tiranë-Durrës.
Projekti i miratuar që prej vitit 2016 parashikon rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, si dhe ndërtimin e një degëzimi hekurudhor prej 5 km ndërmjet Tiranës dhe Aeroportit të Rinasit.
Pas përfundimit të plotë të veprës hekurudhore distanca Tiranë-Durrës pritet të përshkohet me tren për rreth 22 minuta, ndërsa do të shkurtohet edhe rruga nga Tirana për në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit që pritet të bëhet për 12 minuta.
Kostoja totale e këtij investimi kap vlerën e 92.1 milionë euro, nga të cilat 36.9 milionë euro janë kredi e marrë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillimi, 35.5 milionë euro janë grant që do të mbulohet nga Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor ndërsa pjesa e mbetur prej 19.7 milionë euro do të financohen nga buxheti i shtetit.
Punimet për rikonstruksionin e hekurudhës ekzistuese dhe linjës së re drejt Rinasit pritet të përfundojnë plotësisht në vitin 2023. Kjo linjë hekurudhore pritet të shërbejë për transportin e pasagjerëve ashtu edhe për atë të mallrave.
Hekurudha Tiranë –Durrës –Rinas është pjesë e Agjendës së Konektivitetit që synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën.