Është zbardhur procesi i përzgjedhjes së kandidatëve dhe anëtarëve të këshillave bashkiake për zgjedhjet e 14 Majit për Partinë Socialiste, ku bëhet me dije se procesi është i hapur për këdo që do të marrë pjesë.
Theksohet se e rëndësishme për këtë proces është përfaqësimi me sa më shumë profesionistë të rinj dhe se do të ketë ndryshim të rolit të këshillave bashkiakë pasi tashmë ato do të jenë më efektive, të hapura dhe transparentë për qytetarët.
“Partia Socialiste si në çdo zgjedhje hyn vetëm me një objektiv: fitoren dhe vijimin e punës në çdo bashki. Sa i përket procesit përzgjedhës të kandidatëve për kryetar bashkie ai është gjithmonë një proces i hapur për këdo, ku marrja e mendimit/vlerësimit si brenda nesh, por mbi të gjitha të zgjedhësve është themeli i këtij procesi. Ne duam sa më shumë profesionistë të rinj të dëgjohen në këshillat bashkiakë, ne duam një shpërndarje dhe mbulim me përfaqësim të të gjithë bashkisë në kuvendin vendor, ne duam që ekspertiza më e mirë ekonomike, juridike, bujqësore, arsimore, shëndetësore etj., të përfaqësohet në këto këshilla më 14 Maj 2023. Ne do të ndërmarrim një ndryshim rrënjësor të përbërjes dhe për pasojë të rolit të këshillave bashkiakë, ose siç duhet të jenë #ParlamentetVendore2023. Ne duam që këshillat bashkiakë të jenë tërësisht të ndryshme dhe efektive nga sa kanë qenë deri më sot: të hapura dhe transparentë për qytetarët, të jenë kuvende vendore të komuniteteve lokale jo sallat e mbyllura me anëtarë që nuk i njeh as lagjia e tyre”, shkruan Balla.