Rasti i një 16-vjeçari i cili shkoi në një gjendje mjaft të rënduar në spital shkaktoi një farë paniku nëse bëhet fjalë për një virus që do të shoqërohet edhe me të infektuar të tjerë.

Mjeku Ilir Alimehmeti ndërsa ka qenë I ftuar në një emision televiziv ka folur në lidhje me rastin dhe virusin e ri.

Ai ka thënë se bëhet fjalë për një virus i cili ka qenë gjithnjë i pranishëm e secili prej nesh është prekur të paktën një herë në jetë nga ky virus.

Sipas tij rasti i 16-vjeçarit është një rast i rrallë dhe se nuk ka vend për panik, pasi raste kur virusi sjell të tilla komplikacione janë tepër të rralla.

“Kjo është një pjesë e kësaj gjendje sociale që është shkaktuar që çdo bakter ka një ndjeshmëri të lartë. RSV është një virus që e njohim shumë mirë prej kohës dhe i prek të gjithë nga i pari te i fundit, prek çdo fëmijë brenda moshës 2 vjeç. Të gjithë jemi prekur të paktën një herë gjatë jetës nga ky virus. Një virus i cili ka simptoma të ngjashme me gripin, por te mosha 0.5 ka mundësi edhe të komplikohet në atë që quhet bronkolit. Në shumicën e rasteve kalon vetë. Rastet që paraqiten në spital janë shumë pak. Fatmirësisht humbjet e jetës te fëmijët janë vërtetë minimale, rreth 0.2 në vit. Janë të infektuar një numër shumë i madh, por ky është një virus i gjithëkundndodhur”, tha doktor Ilir Alimehmeti.