Drejt përfundimit punimet për rikonstruksionin e plotë të rrjetit ujësjellës në Gjinar që u vjen në ndihmë banorëve të zonës, një kërkesë e kahershme e tyre e cila po bëhet realitet falë vëmendjes së treguar nga bashkia. Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiaku Gledian Llatja inspektuan punimet për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit në Gjinar, pjesë e projektit të madh të qeverisë për rivitalizimin e 100 Fshatrave.
Gjiknuri, që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut tha se kjo zonë ka një potencial të madh zhvillimi, veçanërisht në fushën e agroturizmit. “ Gjinari është një nga vendet më të mira në Shqipëri që duhet vizituar. Tani Tiranë – Elbasan gati janë bërë një po ta shohësh nga pikëpamja e transportit kohor. Me gjithë rregullimin e qendrës këtu, ujësjellësi i ri që do të furnizojë me ujë të gjithë fshatin. Ka interes për hoteleri, ka interes për bujtina. Me transformimin e qendrës së fshatit interesi do jetë shumë më i lartë. Shtigjet që po bëni për “Haiking” është gjëja më e mirë e mundëshme. Duhet ta vazhdoni në atë drejtim që të ketë dhe tabelat e duhura që të orientohen turistët. Jam i bindur që në krye të disa viteve Gjinari do të jetë një nga qendrat më të vizituara”, tha ai.
Numri dy i socialistëve deklaroi se shumë shpejt do të fillojë nga zbatimi dhe projekti tjetër për qëndrën e fshatit. “Shumë shpejt shpresoj të fillojmë dhe projektin tjetër për qendrën e fshatit. E kemi thënë dhe herë të tjera, janë bërë shumë punë në qytet, qyteti është transformuar. Kryetari i Bashkisë tashmë ka filluar një program që po hyn në shumë lagje me asfaltime, sistemime, por asnjëherë nuk e kemi lënë mënjëanë edhe interesin për zonat rurale. Kështu që këto programe do të vazhdojnë. Një pjesë është me mbështetjen e qeverisë shqiptare”, deklaroi Gjiknuri.
Ai siguroi banorët se këto investime nga ana e qeverisë dhe e Bashkisë do të vijojnë në Elbasan, ndërsa kërkoi mbështetjen e qytetarëve që këto projekte të mos ndalen. “Ne pikërisht jemi këtu që kjo mbështetje të vazhdojë dhe prandaj edhe duam që qytetarët e Elbasanit të na mbështesin, të vazhdojmë këto procese të nisura. Për ne të parët janë elbasanllinjtë, jeta e qytetarit të Elbasanit dhe e ardhmja e bashkisë së Elbasanit, jo luftërat politike të Tiranës apo ata që duan të na kthejnë në drejtime të tjera. Kështu që ne vijmë me gjëra konkrete. Përditë bëjmë nga një punë të vogël që të mund të ndryshojmë jetën e çdo qytetari”, deklaroi Gjiknuri.
Kryebashkiaku Gledian Llatja i cilësoi investimet në Gjinat si më të mirat që do të sjellin më shumë turistë. “Është një nga investimet e mira. Është një projekt i madh për Gjinarin. Përveç bukurive natyrore, këtu ka pasur edhe problematika infrastrukturore, uji i pijshëm, sheshi i Gjinarit dhe rruga që e lidh me Elbasanin. Po ecim shumë mirë për të siguruar ujë 24 orë për Gjinarin dhe për turistët”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Elbasanit.
Ky investim do të shërbejë për përmisimin e shërbimit në gjithë fshatin Gjinar Qendër, rivitalizimin e qendrës, nga e cili perfitojne rreth 450 banorë resident si dhe shumë turistë që do të gjejnë një infrastrukturë shum të mirë.