Pas premtimit për 3 stadiume të rinj nga kryeministri Rama në Vlorë pretendojnë se në qytetin e tyre do jetë më i madhi, duke ia kaluar edhe ‘Air Albania-s’ në kryeqytet. Administratori i klubit Flamurtari Sinan Idrizi është entuziazt se nëse ndërtohet një ekonomi sporti Vlora do sjellë në stadium 25 mijë tifozë.
“Stadiumi do jetë këtu tek i vjetri. Unë kam kërkuar me gjithë kryeministrin që të ndërtojmë një stadium me 25 mijë vendesh në Vlorë. Për momentin duket pak si absurd, utopike dhe e ekzagjëruar, por duke sjellë dashamirës i Turqisë po u jap një shembull. Antalya ka qenë një qytet që në vitet 80 se njihte njeri dhe ndërtoi një stadium 35 mijë vendesh që sot mbushet plot nga të huajt. Vlora është një qytet që do 2 apo 3-fishohet. Të jeni të sigurtë se nëse krijojmë një ekonomi sporti ky stadium do jetë plot. Ndoshta jo që nga fillimi por në vazhdimësi,”-u shpreh Sinan Idriz, administrator i Flamurtarit.
Projekti për ndërtimin e stadiumit në Vlorë është vetëm fillimi sipas Idrizit.
“Ne kemi në plan jo vetëm stadiumin, por kemi edhe projektin e akademisë në zonën e degraduar të Pyllit të Sodës. Projekti për pallatin e sportit, por edhe disa terrene të tjera që janë lart në mal,”-tha Sinan Idriz, administrator i Flamurtarit.
Dy qytet e tjera ku ndërtohen stadiume të rinj sipas kryeministrit Rama janë Durrësi dhe Korça.