Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri zhvilloi një bashkëbisedim me pensionistët e qytetit të Prrenjasit. Gjiknuri, që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut u shpreh se vëmendja e PS ndaj kësaj grupmoshe nuk ka munguar asnjëherë. Ai theksoi se dhe masat e marra gjatë pendemisë dhe krizës së çmimeve si pasojë e luftës, treguan qartazi vullnetin e kësaj mazhorance për të mbrojtur shtresat në nevojë. “Pavarësisht kushteve të vështira që kemi qenë, sepse Shqipëria këto vite ka kaluar situata jo të lehta, tërmeti, pandemia, kriza e çmimeve sidomos me luftën në Ukrainë dhe inflacioni që preku mbarë botën, ndikoi natyrshëm dhe në ekonominë e familjeve tuaja. Por qeveria ndërmori dy masa shumë të rëndësishme. E para, mbajti nën kontroll çmimin e energjisë elektrike sepse nëse në vendet e tjera energjia u reflektua me çmimet e tregut energjia te ne mbeti njësoj. Shteti harxhoi mbi 500 milion euro nga buxheti i vitit të kaluar vetëm për t’i ardhur në ndihmë sektorit energjitik për të mbajtur çmimin të pandryshuar. Kjo ishte për të mos goditur njerëzit më të prekur që në këtë rast janë dhe pensionistët, pra njerëzit më të moshuar. Kjo është një formë direkte e ndihmës që ka dhënë qeveria për të gjithë shtresat më të prekura apo shtresat më vulnerabël. E dyta, në kushte të vështira, qeveria u tregua prapë më e gjendshme për njerëzit sidomos me paketat e fundvitit. Pra, edhe me shpërblimin e fundvitit dhe me paketën shtesë që dha në janar”, tha Gjiknuri.
Numri dy i socialistëve u shpreh se shumë shpejt qeveria do të japë dhe paketën tjetër të ndihmës për shtresat në nevojë dhe pensionistët. “Ne tashmë po bëjmë kalkulimin e taksës ekstra që do paguajnë këto kompanitë e mëdha të energjisë që nxorrën fitime gjatë këtij viti. Kjo do t’i shpërndahet njerëzve. Besoj brenda një muaji e ca do dalë publikisht dhe vlera tjetër shtesë që do t’u shpërndahet të gjithë nevojtarëve, në këtë rast dhe pensionistëve. Pra, edhe kjo është një masë e re që pritet në një ose dy muajt e ardhshëm. Qeveria mori përsipër të mbulojë falas fishat e diabetit. Edhe kjo është një ndihmë direkte”, tha ai.
Drejtuesi politik i qarkut kërkoi mbështetjen e qytetarëve ndaj PS dhe kandidatit të saj për të vijuar punët e mira të bëra. “Kërkojmë që si Parti Socialiste, përfshirë dhe Nuren, të kemi mbështetjen tuaj është pikërisht për të vazhduar këto punë të mira. Do thotë dikush, po mirë zgjedhje vendore janë! Janë dhe politike. Kundërshtarët tanë pak gjëra të mira i kanë sjellë këtij vendi. Pikërisht janë ata tani të parët që duan të flasin për përmbysje, për frenim të zhvillimit, të shporret kjo qeveri, e të tjera me qëllim që të kthehet Sali Berisha me Ilir Metën prapë në qeveri. Kjo është e vërteta. Dhe këto zgjedhje lokale duan t’i shfrytëzojnë për këtë qëllim që të krijojnë idenë sikur ata po vijnë në pushtet, gjë që për mua s’ka fare mundësi, por po e them kush është synimi i tyre. E shikojnë që nuk vijnë dot me votë e çfarë bëjnë tani stisin protesta, stimulojnë kriza, bëjnë ato shfaqet e shëmtuara në parlament me bilbila. Saliu ka që në 91’-shin që merret me politikën e Shqipërisë dhe ja ku jemi”, nënvizoi Gjiknuri, teksa shprehu besimin se Korridori 8 do të sjellë më shumë zhvillimin për Bashkinë e Prrenjasit.
Kryebashkiaku Nuri Belbadeklaroi se qyteti brenda 4 viteve është transformuar duke njohur investime të rëndësishme falë dhe mbështetjes së qeverisë socialiste. “Ne kemi ardhur në krye të bashkisë pas dy mandatesh rresht të PD-së dhe LSI-së. Kemi gjetur shumë probleme, por kemi zgjidhur shumë probleme. Kemi qenë pa spital, tani kemi spitalin, i cili falë dhe mbështetjes së kryeministrit është bërë realitet, që sot e kemi me kushte komode. Kemi bërë ndërhyrje në qytet në shumë rrugë të qytetit, por edhe në njësi. Kemi prekur pothuajse çdo fshat me ato investime që në i kemi detajuar me ju. Kemi pasur mbështetjen e qeverisë sidomos në një sektor shumë jetik siç është furnizimi me ujë të pijshëm. Kjo mbështetje do vijojë. Buxheti i vitit 2023 i detajuar në bashki përfshin shumë investime”, tha Belba.