Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e kaluar në veri të Kosovës. Policia e Kosovës ka thënë se të shtënat janë regjistruar në pikën e kontrollit në Zveçan, ku kanë qenë duke qëndruar disa policë.

Efektivët kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes por nuk kanë gjetur asnjë person. Nëntë gëzhoja u gjendën në vendin e ngjarjes. Nga të shtënat nuk mbeti asnjë person i dëmtuar.

Në veriun e Kosovës, i banuar me shumicë serbe, ka shpesh tensione mes serbëve dhe policisë. Dy raste të tjera janë regjistruar në fillim të këtij viti, ku më 27 janar u qëllua me armë zjarri një makinë e policisë së Kosovës. Ndërkohë, më 23 janar, në Bistricë të Leposaviqit, dy serbë refuzuan të ndalonin në një pikë kontrolli dhe Policia qëlloi me armë zjarri drejt veturës, duke plagosur një serb.