Mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një problematikë shumë të madhe për bizneset në mbarë vendin duke sjellë një përmbysje të situatës. Më parë tregu kërkonte më së shumti punonjës të kualifikuar, ndërsa tashmë kërkesa është në rritje për plotësimin e vendeve vakante që nuk kërkojnë një diplomë, apo që i përshtaten më së miri punëkërkuesve të papunë që nuk kanë formimin e duhur.

Në faqen e saj zyrtare, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive ka të listuara 1577 vende të lira pune nga biznese private por edhe institucione shtetërore në të gjithë vendin.

Ajo që bie në sy është se shumica e pozicioneve vakante nuk kërkojnë një diplomë apo kualifikime të posaçme. Kështu disa nga kategoritë e pozicioneve të tilla janë: punëtor lavanderie; shitës në dyqan; punëtor pastrimi; sistemues malli; roje; picajol; punëtor lavanderie punëtor ambalazhimi; punëtor krahu; punëtor paketimi; punëtor i vendosjes së etiketave me makineri; magazinier; shofer autobusi; recepsionist; sanitar; punëtor krahu pyjesh; fermer blegtorie; rrobaqepës; kamarier; banakier; hidraulik; marangoz; punëtor në baxho qumështi; motorist; tapicier. Shumica e punëdhënësve nuk kërkojnë as eksperiencë tek aplikantët duke marrë përsipër në një farë mënyrë edhe trajnimin e tyre në vendin e punës.

Gjithashtu, në këtë faqe janë të listuar edhe pozicione që kërkojnë arsim të lartë dhe eksperiencë, siç janë infermierë, mjek, inxhinierë kompjuterësh; specialist i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit; kontabilist; inxhinier druri, etj.(Elisabeta Dosku)