Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe sqaroi se nuk është rritur çmimi për marrjen e patentave por përmirësohet cilësia e autoshkollave. I ftuar në emisionin “Bardh a Zi” në Abc News, Gonxhe theksoi se synojnë që të luftojnë fiktivitetin në tregun e autoshkollave.
Ai u shpreh se nëse më parë qytetarët kanë paguar më pak, do të thotë se nuk kanë kryer programin e plotë të kursit. “Nuk është shtuar programi apo rritur çmimi është i njëjti program prej vitesh, i detyrueshëm për përgatitje për leje drejtimi sipas kategorive.“, u shpreh Gonxhe i ftuar në “Bardh a Zi”.
“Ne si Drejtori e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor njihemi me faktin që drejtoria e përgjithshme e tatimeve bashkë me grupet e interesit del në përfundimin se një proces për kategorinë B në kuptimin e kursit, do të kushtonte 69 mijë lekë, në teori dhe praktikë.
Nëse do të zbatoheshin kriteret e detyrueshme fiskale edhe në vitin 2018, 2015 apo 2013, kursi do të kushtonte 69 mijë lekë. Çmimi i kursit dhe programi nuk ndryshon. Ndryshon vetëm fakti se shteti ndërhyn fort në këtë batërdi dhe thotë që nuk mund të jetë më diploma pa bërë mësim.”, tha Gonxhe.