Nga Kristo MËRTIRI/

Shërbimi Informativ i hodhi hapat e parë pas shpalljes së Pavarësisë. Dhe një nga drejtuesit që caktoi Ismail Qemali, a e dini kush ishte ? Tribuni i Vegjëlisë, “dragoi i Dragobisë”, Bajram Curri. Po 8 vite më vonë ? Shkrimtari i paharruar Haki Stërmilli. Ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore do fillonte të merrte një themel të vërtetë institucional dhe në shërbim të Clirimit të vendit nga pushtuesit dhe zagarët e tyre sahanlëpirës. Komisari e Komandanti i Përgjithshëm i UNC, Enver Hoxha, fiks 80 vjet më parë(20 Mars 1943), në zjarrin e luftës partizane Antifashiste urdhëroi krijimin e këtij Shërbimi që Ushtria të kishte “syrin dhe veshin e saj”. Në krye u zgjodhën e u vendosën luftëtarë jo dosido dhe as thjesht trima, besnikë e patriotë të kulluar. U përzgjodhën edhe partizanë të mencur e të ditur, disa të përgatitur edhe në shkollat Evropiane e Perëndimore dhe që iu përgjigjën pa kushte thirrjes kushtrim të Atdheut për t’u cliruar nga hordhitë nazifashiste. Madje, nga ky lloj Shërbimi jetik ka edhe Dëshmorë e Heronj të Popullit që falën gjakun e jetën e tyre në themelet e këtij shteti që gëzojmë sot, në themelet e Lirisë e Demokracisë së vërtetë. Ata i shërbyen Shqipërisë dhe shtetit të saj, brenda e jashtë vendit. Janë tjetër gjë dramat e tragjeditë e sistemeve politike apo ato të pushteteve që vijnë e shkojnë.

Bëmat e ndonjë individi të vecantë në kundërshtim me Ligjet e cdo kohe, nuk mund të errësojnë kurrë kontributin e tyre të pamohueshëm nga iks kalemxhi akshami apo pinjoll i zi i ca figurave sterrë të zeza që populli ua ka kënduar letrat në xhep me kohë. Krahasojini po të doni me disa drejtues të Shërbimit Informativ ose me kryespecialistët e mbi 30 viteve të fundit !…

Këto më sipër i kujtova pak ditë më parë, kur lexova në media një informacion të zgjeruar e konkret për situatën e burimeve njerëzore në SHISH dhe në atë të Ushtrisë. Për mua ishte dhe mbeti informacion tronditës e lebetitës ! Dhe as vetëm si gazetar veteran, por mbi të gjitha si shtetas, qytetar e intelektual i angazhuar, për fatet e Republikës sime të shenjtë. Fate që jo rrallë kanë rënë historikisht në mendje e duar të pista, të cilat i kam provuar edhe vetë në kurriz që nga koha e famëziut Gazidede. Por të mësosh sot se Drejtori i një dege në SHISH është “investim direkt për t’u punësuar nga një eksponent i botës së krimit”(!) ose një tjetër Drejtor paska patur vëllain, nipin e kunatin “lojtarë” jo të zakonshëm të trafikut të drogës e kokainës (!); ose një ish drejtor në rreth (tani në aparatin qendror të Shërbimit në qendër(Tiranë) paska lidhje me një familje kriminale dhe akoma më tej “një bos krimi arriti të punësojë në degën rajonale një vajzë, e cila sot punon në një Drejtori të rëndësishme në qendër dhe babai i saj ka lidhje të forta me trafikantë droge etj., c’farë emri e mbiemri t’i vemë ?! …Shkurt, një përzgjedhje personeli e ndyrë, e pse jo antishqiptare, brenda Shërbimit të Inteligjencies Shqiptare. Dhe nuk kemi të bëjmë thjesht me refrenin e njohur: Merr nga dhitë e bëj zabitë ! Dhe as bëhet fjalë për një “celës sekret” me mekanizëm të ndërlikuar, “të cilin e njeh vetëm kush e përdor”! Të lëvizësh nga kolltuqet dhe postet e pamerituara e të betonuara Shefin e Kundërzbulimit; atë të Sigurisë së Personelit; ata të Antiterrorit e të Spiunazhit; ish Drejtor Kabineti etj., është gjysma e të keqes që ka pllakosur atë Shërbim. Po përgjegjësia ligjore ku mbetet ? Qofsha i gabuar, por transferimi e ulja në detyrë, mendoj se nuk e pastron dot plotësisht trupin e molepsur të këtij Shërbimi me rëndësi tepër të vecantë. Dhe pret të bëjnë mbroth atje ku do shkojnë ?! Në një kohë kur një polic të thjeshtë dhe për faje jo të kësaj natyre, ti e përjashton përgjithmonë nga Policia e Shtetit (?). Ose Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (AISM), ku për 6 vjet janë ndërruar 6 Drejtorë të Përgjithshëm dhe e kanë përdorur “si trampolinë për të marrë gradën e Gjeneralit” ! Dhe mjaft emërime janë “jashtë cdo kriteri, duke shkelur hapur Ligjin”etj. Unë dhe kolegët e mi të vjetër e të rinj, qoftë edhe për këto fakte erërënda, duam të dimë se a janë bërë ndonjëherë objekt diskutimi, debati e vendimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare ? Po Kryeministri ose Kryetarja e Kuvendit, si kanë reaguar ? Opinioni i shëndoshë publik pret përgjigje serioze dhe jo parafabrikate raportesh e fjalimesh nën mbulesën mister të “sekretit”, mbulesë a maskë që i ka lënë ende të pashëruara disa plagë jo të lehta të SHIK-ut të djeshëm huliganesk që arriti deri te Operacionet drithëruese e antishqiptare mbi Jugun !

Sa për ata punonjës që ndiehen të rrezikuar dhe i shkruajnë plot përgjërim Doktorit, e që ky i hedh në tregun e pafytyrë të Polit(h)ikës e nëpër Konferenca Shtypi, duhen pastruar menjëherë nga ai institucion dhe me secilin le të merret pa vonesë SPAK-u. Se nuk është thjesht tradhëti e lartë ndaj Shtetit Ligjor dhe as ca ura zjarri në vatrat e propagandës pa moral. Këta tipa janë gati të shesin edhe babë e nënë ! Informatorë të tillë pa dinjitet e të korruptuar gjer në palcë, si të ardhur nga shpellat ogurzeza të mercenarizmit e të nepotizmit ulërak me diploma të blera, mund t’i bëjnë hatara Shqipërisë sonë. Më mirë le të mbetet Berisha pa burime informacioni të klasifikuar, se sa të leqendiset më tej Republika hallemadhe. Metastazat nëpër trupin e SHISH-it nuk pastrohen vetëm me propagandë e shkresa administrative, paralajmërime a transferime shterpa. Dhe as me ca andra në Ligj, në rroga e salltanete. Përndryshe, “spiunët e Doktorit” do të rrojnë e mbretërojnë në cdo kohë ! Dhe shajnë e “qajnë” me oi-oi për mungesën e Lirisë së Medias nga “pushtimi” i Ramës…(Vecse gjatë paradites së enjte, e kaluam pultin e televizorit në 12 kanale njëkohësisht dhe shfaqej vetëm Berisha ! Një cmenduri e paparë mediatike!)

Po gjurmët e punës së lavdërueshme të diplomatit të shquar, Kujtim Hysenaj (që i mbylli sytë 57 vjec e në krye të detyrës !), kush nuk i begenisi dhe i bitisi në këtë derexhe ? Jo më kot u tha publikisht e në media se ai “i dha një fytyrë të re këtij shërbimi”. I besonte shumë ndershmërisë dhe profesionalizmit. Por…iku në atë botë, iku para kohe ! Dhe nuk e mbylli dot as mandatin. Pak muaj para se të merrte rrugën pa kthim “nga një sëmundje “e rëndë”, një ditë i shkova në zyrë. Ku ta dija se do ishte takimi i fundit ! E kisha njohur që kur ishte Ambasador në Beograd bashkë me vëllanë tim. Sa herë vinte në Tiranë, pasi kish shkuar te nëna e vet në Fier, nuk harronte të takohej edhe me nënën tonë kusuremadhe. Ah, malli i Shqipërisë ! Duke zbritur shkallët e pallatit te “Myslym Shyri”, psherëtinte pak sekonda dhe zbraste një postulat konician: “-Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se c’forcë e c’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë : Shqipëri !”… I kulturuar e i edukuar si ai, rritur jetim. Një rrugë e atij qyteti mban emrin e nderuar të babait, mallakastriot me derte ! Me dy Fakultete (Gjuhë të huaja e Drejtësi); me një libër interesant të botuar e të pareklamuar ende; diplomat karriere i vecantë që i dha jo pak mëmëdheut…Kur më pyeti me kujdes për një hall që më kish rënë padrejtësisht në kokë, për të mos e lodhur e sqarova shkurt. Dhe ishte fjala deri për anëtarë Qeverie. Ashtu i lënguar, u ngrys i tëri në fytyrë dhe zëulët tha vetëm kaq: “ Kristo, mos u sëkëlldis shumë, këta janë rrugacë !”… Kujtimi ynë i mirë, me integritet të rrallë moral e profesional, i zgjuar e plot talent letrar, i pabujë, punëmbaruar e i pazhurmë. Librin e tij të shkruar në Paris, nuk e kam lexuar ende. “I shtrënguar nga rregullat e rrepta të mosthënies, kusht autoritar i profesionit, Kujtim Hysenaj gjen një shteg të lirë, madje me zgjuarsi arrin të celë një hapësirë të madhe për të krijuar,-shprehej një ish koleg.- Fantazon e në të vërtetë në shumicën e faqeve thotë të vërtetën, i përshkruan ngjarjet sic kanë ndodhur…”. Por tingujt e kitarës së dashur, që vazhdon të rrijë e varur në një mur apartamenti përballë Librit Universitar, herë pas here sikur i dëgjoj dhimbshëm tek dalin nën gishtat dhe duart e pastra të atij njeriu me botë të madhe shpirtërore. Tela që nuk i la të heshtnin as në ditët e netët mortjendjellëse. Pikë-pikë pikëllimi ! Ndërsa Moza e tij e shtrenjtë nuk e mban dot curgun e lotëve të nxehtë sot e kësaj dite. Fati i lig nuk e ndihu. Por malli rri kurdoherë ndezur…

Sepse në këtë botë të trazuar, të tjerë punojnë e luftojnë fare pak, por thërrasin e bërtasin më shumë !