Të rinjtë që duan të përfitoj eksperiencë profesionale nga bizneset model që operojnë në agrobiznes, iu krijohet mundësia të aplikojnë në Programin për Zhvillimin e Aftësive Sipërmarrëse të të Rinjve në Agrobiznes.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca dha sot lajmin për çeljen e aplikimeve për të rinjtë në këtë program, si një eksperiencë e rëndësishme për ta në rrugën e rritjes profesionale.
“Sapo kemi hapur aplikimet për nismën më të re të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe FAO, Programin për Zhvillimin e Aftësive Sipërmarrëse të të Rinjve në Agrobiznes”, tha Krifca, në videomesazhin e publikuar në rrjete sociale, teksa informoi se kush mund të aplikojë në këtë program.
“Studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës apo shkollave profesionale bujqësore, ju që sapo keni kryer studimet dhe jeni në kërkim të një pune apo të një trajnimi pasuniversitar, ju që jeni në vitin e fundit të studimeve dhe po përgatiteni të dilni shumë shpejt në tregun e punës, apo të gjithë ju që po mendoni një sipërmarrje në bujqësi, mund të aplikoni. Ky program është për ju”, theksoi ministrja.
Krifca e cilësoi këtë program si një mundësi të shkëlqyer për t’u trajnuar dhe për të marrë aftësi që përputhen me tregun e sotëm të punës dhe një mundësi e mrekullueshme për të punuar me sipërmarrës që drejtojnë sot ndërmarje të rëndësishme në fushën e bujqësisë, si Mrizi i Zanave dhe Danish Green Garden.
“Kjo eksperiencë e re, vuri në dukje ministrja, do t’u shërbejë të rinjve për të integruar njohuritë teorike të sipërmarrjes dhe të digjitalizimit, me njohuritë praktike për të çuar përpara prioritetin tonë për një bujqësi inovative ku përdoren teknika inteligjente që sjellin ulje të kostove të prodhimit, si dhe rritje të prodhimit si në bimë ashtu dhe në kafshë”.
Krifca ftoi të rinjtë të aplikojnë nga data 15 shkurt deri në 1 mars, me një letër interesidhe një CV, në emailin: [email protected] ,për t’i dhënë mundësi vetes për të fituar një fuqi të re dhe një eksperiencë të rëndësishme në rrugën profesionale.
“Shpallja e 25 fituesve do të bëhet në datën 8 mars dhe unë mezipres që ju të mbaroni këtë trajnim dhe t’i përdorni sa më mirënjohuritë tuaja në shërbim të zhvillimit të bujqësisë”, u shpreh ministrja Krifca.