Në një takim me banorët e Sulovës në Bashkinë Cërrik, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri kërkoi mbështetjen e tyre për zgjedhjet e 14 majit për të çuar përpara projektet e nisura.

Gjiknuri, që është njëherësh dhe drejtuesi politik i PS për Qarkun e Elbasanit, siguroi se Andis Salla ka të gjithë mbështetjen e qeverisë për të bërë realitet premtimet.

“Isha në Cërrik në qytet, transformim në të gjitha lagjet e qytetit falë punës së Andisit. E ka justifikuar me punë dhe gjithmonë projektet e tij kanë dhe do të kenë prioritet për t’u mbështetur nga qeveria shqiptare. Unë këtu jam garant që ato që Andi i merr për angazhim, ne ti bëjmë realitet me fonde. Ky do mirëadministrojë taksat e qytetarëve, do bëjë ndërhyrje në fshat, në lagjet e qytetit. Qeveria do marrë përsipër gjërat e mëdha siç është ujësjellësi, përmirësimet rrugore, fasadat e qytetit. Këto janë gjëra që do përgjigjet qeveria. Por që të funksionojë kjo duhet një bashkiak i mirë që di hallet e njerëzve edhe qeveria që e mbështet”, tha Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve u shpreh PS është garanci për zhvillimin e Cërrikut, ndërsa opozita nuk ka asnjë ofertë serioze.
“Ju politikën e ditës e shihni vetë. Përballë nuk është se kemi alternativë serioze. Mendoni për veten tuaj dhe garancitë që keni për zhvillimin tuaj. Krahu tjetër nuk ofron asgjë. Krahu tjetër thotë e dua bashkinë të bëj revolucion me Sali Berishën në Tiranë. Pjesa jonë thotë të vazhdojmë punët e nisura. Ju si njerëz të mençur dini të vlerësoni atë që bën për komunitetin, bën për popullin dhe është më i afrueshëm me njerëzit për hallet e tyre. Prandaj kërkojmë mbështetjen dhe njëherë për Andin”, deklaroi ai.

Gjiknuri theksoi se opozita ka treguar se dhe kur ka pasur pushtetin, nuk ka bërë asnjë punë. “Mos i beso atij që s’ka bërë asgjë dhe të thotë do i bëj të gjitha. Se do vijnë ata do ju thonë do bëjmë këtë do bëjmë atë. Do i thoni ju: po çfarë bëre ti kur ishe në pushtet?! -Jo s’bëra gjë unë, por tani kam ndryshuar. Mos i besoni atyre që s’kanë bërë asgjë.
Unë ju garantoj një gjë, që me Andin shumë nga këto gjëra që keni parë këto vite do shumëfishohen. Qeveria po bën maksimumin e saj. Është bërë një punë e mirë me shpërblimet që u dhanë në fund dhe fillim të vitit për pensionet. Ne duam ta vazhdojmë edhe me paketën tjetër tani në prill me taksën që kemi marrë nga kompanitë energjitike për t’ua shpërndarë pensionistëve për një shpërblim të radhës. Lëre ç’thonë ata po e bën për zgjedhje. Jo more jo, kështu u krijua mundësia. Qytetari do që gjërat ti shohë dhe ti prekë. Këtë angazhim ne e kemi marrë dhe do ta bëjmë realitet”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste.

Kryebashkiaku Andis Salla renditi disa nga investimet që janë realizuar në këto katër vite në njësinë administrative Mollas.
“Duke filluar që nga Selita, ne kemi bërë një shkollë totalisht të re, një kopësht që para pak ditësh e kemi përfunduar. Me bujqësinë jemi akoma duke vazhduar me kanalet bujqësore. Me rrugët që kemi filluar me rehabilitimin e tyre. Në pjesën e Mollasit një nga punët kryesore të cilën ju e keni kërkuar vetë, ujësjellësi i Mollasit, sot jo vetëm është një ujësjellës model 24 orë ujë për të gjithë qytetarët dhe bizneset, por disa nga banorët e kësaj zone punojnë në këtë ujësjellës. Jemi duke punuar në rrugën e Dasarit që është një nga punët që ju vetë e keni kërkuar”, tha ai, teksa shtoi se aktualisht po punohet në 18 kantiere.
“Është një mundësi e mirë që qeveria dhe bashkia sëbashku kanë kryer gjithë këto investime për njësinë Mollas dhe të gjithë banorët e bashkisë së Cërrikut. Aktualisht jemi duke punuar në 18 në Bashkinë Cërrik. Është një mundësi e mirë për qytetarët për të kthyer të gjithë vëmendjen e duhur qoftë në infrastrukturë, arsim, bujqësi etj”, nënvizoi Salla.