Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Arif Tafani zhvilloi një takim me strukturën e Koordinimit Elektoral Belsh.
Gjiknuri që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut, kërkoi mbështetjen dhe kontributin e çdo qytetari për PS-në në zgjedhjet e ardhshme për të vijuar zhvillimin e zonës. “Ne pak nga pak po afrohemi drejt garës për bashkitë. Kandidatin tashmë e kemi, kundërshtarin e dimë. Alternativat i kemi të qarta. Na duhet puna e gjithësecilit që ne të arrijmë rezultatin maksimal. Unë them që këtu në Belsh ne kemi mundësi që të shkojmë me gojën plot te njerëzit. Përse? Sepse janë bërë shumë punë. Unë kam qenë dëshmitar i shumë investimeve të bëra. Të tjera do vijnë. Interesi është shumë i madh. Këtu po bëhet një treg i ri modern bujqësor. Belshi do futet tani te pjesa më e vizituar e Shqipërisë”, tha ai.
Numri dy i socialistëve nënvizoi se dyshja Berisha dhe Meta nuk kanë asnjë program dhe alternativë serioze. “Kundërshtarët do vijnë. Kundërshtari ka një gjë, ai që s’ka bërë asgjë premton qiejt. Ata vijnë e thonë ty do të fus në punë, do dyfishoj rrogat. Po kush do e bëjë këtë? Ilir Meta me Sali Berishën? Apo kandidati i tyre në terren. Çfarë alternative ofron ai këtu në terren përveçse të kthehet në bunker i Sali Berishës dhe Ilir Metës? Nuk ka çfarë të ofrojë ai. Të vetmen gjë që do përdorë është gënjeshtra te njerëzit. Çfarë do bëjë ai po s’pati qeverinë nga mbrapa?”, tha Gjiknuri.
Numri dy i socialistëve u shpreh se PS hyn në këto zgjedhje si një alternativë zhvillimi që e ka treguar me punë dhe vepra. “Alternativa tjetër është revolucion përmbysje. Ilir Meta me Sali Berishën përmbysje. Do vijmë ne thonë në pushtet. Unë nuk dua të merrem me ata se ju e keni parë unë nuk e kam zakon të merrem me të kaluarën as të ofendoj njeri, unë di të ofroj atë që quhet e prekshme edhe që është për të mirën e qytetarëve. Këtu ndjehem mirë sepse në Belsh ne vijmë duarplot edhe ballëlartë me gjithë këto punë të mira që kemi bërë”, tha ai.
Gjiknuri nënvizoi se pavërësisht sfidave si tërmeti dhe pandemia, qeveria ka qenë pranë njerëzve. “Megjithëse në kushte të vështira qeveria e Edi Ramës ka treguar që është në lartësinë e duhur. Ne kemi kaluar vite të vështira. Pandemia, tërmeti, pastaj lufta në Ukrainë me rritjen e çmimeve. Ama qeveria prapë iu gjend njerëzve, sidomos njerëzve më në nevojë, me çfarë mundësie që kishte. Nga ana tjetër Belshi duke u investuar më shumë, duke e marrë këtë reputacion që ka, do jetë një krahinë edhe më e vizitueshme dhe me një progres dhe rritje ekonomike shumë më të madhe”, deklaroi ai.
Kryetari I Bashkisë së Belshit renditi një sërë investimesh të rëndësishme që janë kryer në këtë zonë. Ai theksoi se Bashkia ka pasur gjithë mbështetjen nga qeveria për të realizuar projektet infrastrukturore që e kanë kthyer Belshin në një atraksion turistik.
“Në qoftë se ne duam që të arrijmë në destinacionin që i kemi vënë vetes nga 2015-a ta shohim Dumrenë atje lart një nga vendet më turistike dhe më atraktive të vendit duhet që të votojmë për Partinë Socialiste. Në një vend me plot halle si Shqipëria, dhe me hallet e shtuara si tërmeti, pandemia, rritja e çmimit për shkak të luftës, nuk ka për të gjithë se Shqipëri është. Por Belshit prapë nuk i kanë munguar investimet. Mos harroni që kjo shëtitorja këtu ka përfunduar në vitin 2020, agro-turizmi i marinës ka filluar në vitin 2020, tregu sapo ka filluar, po ashtu dhe pika e grumbullimit”.