Nga Rajmonda Basha/
3 marsi ishte ditë e gjatë për demokratët e Shqipërisë.
Teksa mesdita i gjeti në bulevard dhe në Gjykatë, në darkë rrjedha mori drejtim.
Apeli e dha vendimin, për të cilin ka shumë kohë që pritet mes shumë akuzave të deleguara.
Çështja kaloi për rigjykim në Shkallën e parë. Vendimi i Zhukrit ra. Vula e PD-së i mbeti Enkelejd Alibeajt – kundërshtarit të krydemokratit Sali Berisha në këtë betejë.
Këto janë vendimet e thjeshtëzuara, jo në gjuhë juridike.
PD, e “zgjidhi këtë hall”, por “një hall tjetër ështe afër”, zgjedhjet vendore të 14 majit.
Cili do të jetë rrugëtimi i PD-së tashmë? Partia e Berishës dhe vula e Alibeajt?
Lidhur me dinamikën e krijuar, gazetari Ben Andoni thekson se mesa duket ky vendim teknikisht ka qenë i marrë shumë kohë më pare.
“Gjykatës së Apelit i është dashur në orët e fundit thjesht të rregullojë ekuilibrat brenda trupës gjykuese dhe për të fashitur presionin. Ky i fundit ka qenë i shumëanshëm, kryesisht prej grupit të “Rithemelimit”, por edhe prej prezencës së përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA-ve”, ravijëzon Andoni për Albanian Post.
Nga ana tjetër, sipas tij, drejtësia me këtë vendim ka marrë kohë, që të paktën në këtë precedent që po krijohet me një nga dy partitë kryesore, të jetë sa më e saktë, konform ligjit të Partive Politike.
“Personalisht e kam besuar se sot nuk do kishte zgjidhje, porse shtyrje”.
Ndërsa, për analistin Frrok Çupi, me vendimin e ndërmarrë u vunë në radhë procedurat ligjore për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit.
“Partia Demokratike, me anë të zyrtarëve të saj ligjorë, deklaroi se që nesër do të regjistrohet në KQZ. U zgjidh një makth i kotë i krijuar nga një gjykatës i blerë”, tha Çupi për Albanian Post referuar vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri që njohu kuvendin e 11 dhjetorit të Sali Berishës.
Pas daljes së vendimit një ditë më parë, një reagim erdhi nga ana e kryedemokratit. Gishtin e drejtoi sërish nga kryeministri Edi Rama, si personi që kërkon të “asgjësojë PD-në duke e përjashtuar nga zgjedhjet”.
Për sa u përket deklaratave të ish-kryeministrit, Andoni thotë se duket që Berisha po përgatit alibinë e tij për daljen nga zgjedhjet.
“E para sepse Partia Demokratike, e një krahu, ekziston dhe e ka ruajtur simbolikën e partisë dhe nuk mund të shuhet. Madje, forca e tij e ka ndryshuar simbolikën. Kurse, e dyta, sepse edhe vetëm pak javë para zgjedhjeve njerëzit e tij, që dolën nga primaret, ende nuk kanë paraqitur para publikut sfidën e tyre dhe sidomos platformat e ndryshimit për zgjedhjet e Pushtetit Lokal”.
Kështu, ravijëzon gazetari, efekti që po krijohet është se kjo parti po vetëdobësohet.
“Mbi të gjitha retorika shpesh pa sens si ajo e Berishës. Baza do të ndjejë planet afatshkurtra dhe afatgjata, por deri më tashmë kemi vetëm improvizime të Grupit të “Rithemelimit” dhe apati totale të grupit “Alibeaj”. Kriza e PD-së do të mbartet edhe shumë kohë pas zgjedhjeve të 14 majit, sepse të dy palët e duan PD-në si aset përfitimi por jo si alternativë ndryshimi”, përmbyll ai.
Nga ana tjetër, Çupi thekson se PD shpëtoi nga “zhdukja e domosdoshme”.
“Duhen dekada që të mëkëmbet partia. Ose edhe mund të mos mëkëmbet më kurrë, e kjo nuk është ndonjë gjë. Shpëtimi i shqiptarëve të lirë nis aty ku as në PD nuk mund të ketë më një Berishë”.
Dhe për sa i përket fatit të forcës më të madhe politike opozitare në vend, Andoni mendon se PD-ja nuk do të zhduket por do të bjerret, sepse vetë misioni i saj ka përfunduar dhe ata nuk i përfaqësojnë më shqiptarët.
“E njëjta udhë e pret dhe PS-në, kur të mos jetë më në pushtet. Të dy partitë e mëdha në Shqipëri nuk i përfaqësojnë më shqiptarët, ndaj shqiptarët ndjekin dy rrugë me mosshkuarjen në votime apo largimin nga vendi”.
Tashmë sipas tij është drama e PD-së dhe ajo është duke u zhvilluar, para syve të gjithë publikut si formë për të parë sesi demokracia i skarciton vetë modelet jo të mira politike.