Në Tiranë po zhvillohet Kongresi i parë i Shëndetësisë, ku ekspertë vendas e të huaj, profesionistë të shëndetit, specialistë të shkencave mjekësore dhe politikbërës janë mbledhur në një forum të përbashkët për të adresuar sfidat e sistemit shëndetësor.

Në fjalën e tij përshëndetëse në Kongres, Kryeministri Rama u shpreh se: “ Më lejoni të falënderoj të gjithë bluzat e bardha për mundin, përkushtimin dhe rezultatet në një fushë që ju përball në domosdoshmërinë për të shpëtuar jetën e njerëzve. Besoj se sot kemi gjithë arsyet të themi se kemi një kapital njerëzor shumë më të qëndrueshëm në shëndetësi, të mirëtrajtuar dhe padiskutim shumë më garanci për të sotmen dhe të nesërmen. Në kushtet e një gare fanatike ndërkombëtare bëhet më sfiduese për ne që të jemi konkurrues, që të jemi në brendësi të kësaj sfide, sepse të gjitha vendet kanë hyrë në një fazë kur nevoja për personel po bëhet më e shpeshtë, për shkak të plakjes dhe rritjes së kërkesës për kujdes shëndetësor. Jemi të detyruar të shtyjmë shumë me forcë përpara, në funksion të fuqizimit të kapitalit njerëzor. Kapitali njerëzor ka nevojë për edukim, punësim sipas meritës, kushte pune dhe pagë dinjitoze. Për arsimimin kemi ecur në mënyrë pozitive përpara, të arsimuarit në vendin tonë mirëpriten krahëhapur në vendet e tjera, duke krijuar një reputacion pozitiv, kjo është në nderin e tyre po një problem më shumë për ne. Po kur vjen puna te arsimi kemi arsye të jemi krenar për punën e Universitetit të Mjekësisë.”

Në vijim Rama shtoi: “Ne i kemi rritur pagat me 63% nga 2013, por jemi të vetëdijshëm që nuk mjafton. Ne duhet të garantojmë një pagë shumë më dinjitoze. Në 30 prill mjekët specialistë do fillojnë të marrin 50 mijë lekë të reja plus në pagën e tyre”