Spitali i ri Qendror në QSUT, për sëmundjet e brendshme është një ndër veprat më të mëdha të tre dekadave të fundit në shëndetësi.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky spital i përuruar pak ditë më parë.

Ndërtimi i Spitalit Qendror është vepra më e madhe infrastrukturore në shëndetësi, me një vlerë investimi rreth 17 mln euro.

Spitali Qendror ka një sipërfaqje ndërtimi 23,290 m2, me kapacitet 345 shtretër ku akomodohen 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, rheumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria.

Në këtë spital shërbejnë 612 staf mjekësor dhe teknik.

Me vizionin për modernizimin e qendrës më të madhe spitalore në vend, 5 vite më parë nisi zbatimi i masterplanit për QSUT.

Pas përfundimit të veprave si Spitali Kirurgjikal “Frederik Shiroka”, Spitalit të ri Pediatrik, Spitalit Infektiv, Depos Farmaceutike QSUT, vijon puna me intensitet për fazën e dytë të rindërtimit të Spitalit Pediatrik, e në vijim do të hapen investime të reja me projektet për rehabilitimin e Spitalit të Kardiokirurgjisë, Spitalit Psikiatrik dhe atij të Djegje-Plastikës në QSUT.