Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2022 llogaritet 66.014 lekë, duke u rritur me 10.8 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Referuar raportit të publikuar nga INSTAT, gjatë tremujorit të katërt 2022, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 2.15 herë më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e bujqësi, pyje dhe peshkim është 35.7 % më e ulët.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt 2022 paga mesatare bruto për aktivitetin e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, ka rritjen më të madhe prej 18.2 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti i administratës publike dhe mbrojtjës; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale prej 6.2 %.
Gjatë tremujorit të katërt 2022, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e manaxherëve, ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë është 65.8 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e punëtorëve (profesione elementare) është 37 % më e ulët.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt 2022, paga mesatare mujore bruto në grup-profesionin e punonjësve të kualifikuar të bujqësisë pyjeve dhe peshkimit ka rritjen më të madhe prej 17 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-profesioni i manaxherëve, ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë 7 %.