Ekonomia e Tiranës, zhvillimi i turizmit dhe punët e së ardhmes ishin fokusi i temës së javës për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili në videomesazhin e tij për qytetarët veçoi disa shifra domethënëse lidhur me rritjen e punësimit dhe hapjen e bizneseve të reja. Ai tha se Tirana sot, përveçse gjeneron më shumë se gjysmën e PBB të të gjithë Shqipërisë, po përjeton një rritje të turizmit, bizneseve të reja me 48% më shumë, si dhe të numrit të të punësuarve me 40% krahasuar me vitin 2015.
Sipas tij, kjo ka ardhur falë projekteve transformuese dhe ardhjes së emrave më të mëdha ndërkombëtare, duke i dhënë një zhvillim Tiranës, që askush nuk e imagjinonte para 8 vitesh.
“Tirana jonë nuk i ka pasur kurrë punët më mirë sesa sot. Nuk është perfekt, por më mirë se sot s’ka qenë kurrë. Çdo tregues i ekonomisë, që nga punësimi, pagat, fuqia blerëse, hapja e bizneseve të reja, vlera e pronës, investimet publike e private janë rritur si kurrë më përpara. Pra, transformimi i qytetit ka forcuar ekonominë dhe forcimi i ekonomisë ka forcuar qytetin. Ky cikël rritjeje ka funksionuar shumë mirë, duke e shtyrë përpara zhvillimin e Tiranës në këto 8 vitet e fundit. Tirana ka përjetuar një rritje të konsiderueshme ekonomike dhe përballoi me shumë sukses sfidat që erdhën nga faktorë të jashtëm, që s’i kishte në dorën e saj, siç ishin tërmeti, pandemia dhe tani inflacioni i luftës së Putinit. Por sot, zyrtarisht, kryeqyteti gjeneron gjysmën e ekonomisë së vendit, pra një bashki sa 60 bashki të tjera dhe falë politikave zhvillimore të Qeverisë dhe Bashkisë Tirana është kthyer në motorrin e zhvillimit ekonomik të vendit,” u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku tregoi disa shifra: “Në total, në qytetin e Tiranës, punësimi është rritur me 126,600 vende të reja pune. Nga 309,000 të punësuar që gjetëm në 2015, sot janë të punësuar 436,600, një rritje me 40%. Paga mesatare në Tiranë është rritur në masën 14,100 lekë në muaj, ose me 30% më shumë. Nga 46,800 lekë që ka qenë mesatarja në 2015, sot mesatarja është 60,925 lekë në muaj. Numri i bizneseve që ushtrojnë aktivitetin në territorin e Bashkisë së Tiranës, vetëm në këto dy mandate, është rritur me 48%. Sot Tirana ka 55,500 mijë biznese të reja nga 37,500 që kishte në vitin 2015. Janë 18,000 biznese të reja më shumë që punësojnë njerëz, rrisin ekonominë, paguajnë taksat me të cilat bëhen të gjithë këto investime”, deklaroi ai.
Një rol të rëndësishëm tek punësimi, nënvizoi Veliaj, ka luajtur industria e ndërtimit, e cila është sot ndër punëdhënësit më të mëdhenj, duke punësuar 100 mijë njerëz, duke rritur rrogat në këtë industri dhe duke rritur kërkesën për profesione si arkitektë, inxhinierë, topografë dhe furnitorë të ndryshëm.
Ai u ndal edhe tek turizmi, ku Tirana tha ai ka 4-fishuar shifrat e para pandemisë. “Turizmi është një tjetër sektor që i ka dhënë një hov të vrullshëm zhvillimit ekonomik të Tiranës sonë. Numri i turistëve në Tiranë është 4-fishuar krahasuar edhe me rekordin e vitit 2019, nga 1 milionë, në 4.5 milionë. Tirana në vitin 2015 vizitohej nga jo më shumë se 100 mijë turistë. 8 vjet më pas shifra e tyre ka shkuar në 4.5 milionë, duke nxitur një efekt zinxhir në sektorë të ndryshëm, që nga prodhimi bujqësor në rrethinat e Tiranës, baret, restorantet, hotelet dhe bujtinat në zonat rurale. Ndërsa, turistët shpenzojnë më shumë para për ushqim, akomodim dhe shërbime të tjera, kërkesa për këto produkte ka sjellë më shumë biznese dhe investime të huaja në këtë sektor, siç është Hilton, Hayat, Marriott tek, Melia, Maritim Plaza apo InterContinental e për rrjedhojë këto hotele me 5 yje kanë sjellë edhe më shumë punësim,” shtoi Veliaj.
Ai tha gjithashtu se, për t’i dhënë një hov të ri turizmit dhe ekonomisë, në Tiranë do të ndërtohet edhe një qendër moderne e eventeve, konferencave dhe panaireve.