Ditën e sotme në komunën shqiptare të Tuzit në Mal të Zi po mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale. Qytetarët do të zgjedhin mes katër koalicioneve dhe tre listave të pavarura. Procesi i votimit do të jetë i hapur deri në orën 20:00 të mbrëmjes.

Sipas ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, 12.387 persona kanë të drejtën e votimit.

Alternativa Shqiptare e kryetarit aktual të Tuzit, Nik Gjeloshaj, është bashkuar me Lidhjen Demokratike të Shqiptarëve, Unionin Kombëtar Shqiptar dhe Lidhjen Demokratike të Malit të Zi nën emrin “Forumi Shqiptar”. E në krahun tjetër është koalicioni nga Partia Demokratike Socialiste, e presidentit aktual Milo Gjukanoviq, Socialdemokratët, Partia Boshnjake dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve, shkruan Zëri i Amerikës.

Që prej vitit 2018, kjo është hera e dytë që mbahen zgjedhjet lokale që nga ndarja e kësaj komune nga komuna e Podgoricës. Gjatë ditës së sotme do të jenë të hapura 30 vendvotime.