Alba Malltrzi/

Ka familje shqiptare që edhe në këto momente që shkruaj, jetojnë në rrethe të tmerrshme të ferrit. Kërkojnë një nënë të humbur, një baba të zhdukur, një vajzë, një djalë. Trokasin të dëshpëruar në dyert e redaksive (dhe jo të gjitha i gjejnë hapur ) sepse dhjetëra dyer të tjera u janë përplasur në fytyrë. Një polic që u ka thënë: po hë se kushedi ku po bën qejf vajza, një tjetër që nuk jep asnjë përgjigje sepse nuk paguhet nën dorë, një tjetër akoma sepse nuk ja ka ngenë, një tjetër redaksi sepse i kërkon pagesë thjeshtë për titra: “Më ka humbur babai im 80 vjeç me sklerozë, ju lutem kush e njeh, të marrë në telefon te ky numër…”

Përherë në Report TV, kemi pasur dhe do të kemi frymën për të ndihmuar, pa asnjë kusht, pa asnjë kursim shqiptarët që na kërkojnë ndihmë sidomos për të afërmit e tyre të humbur. Nuk bëjmë bamirësi, thjeshtë mendojmë se për median, për gazetarët është detyrë, mision. Por kush punon, edhe gabon. Sidomos përballja me lajme të tmerrshme, të forta, nuk ka një formulë në reagim. Më vonë mund të kuptohet se sa keq u veprua dhe reflektimi vjen ashtu si në jetë: Kush nga ne nuk ka një moment që do ta kishte bërë ndryshe një gjë, që do ta kishte thënë ndryshe një fjalë.

Në social media prej kohësh kam vendosur të mos përziej punën, gazetarinë me jetën e përditshme, personale; secili ka opinionet e veta, formimin e vet dhe përballja mes nesh kërkon kushte të barabarta drite për ta parë një ngjarje, një fakt. Kur këto kushte nuk janë, përballja dhe konflikti duket i pashmangshëm, të paktën sot për sot.

Në “Pa Gjurmë”, Odeta Dume bën një punë të jashtëzakonshme për të lidhur familjarët me të të dashurit e tyre të zhdukur. Shumë ngjarje mund të duken të çuditshme, paradoksale, absurde, por sa njerëz ka gjetur kjo gazetare, kjo nënë, kjo vajzë. Gaboi me komunikimin në ngjarjen e fundit dhe kërkoi falje për këtë. Provoni të zhyteni bashkë me këta familjarë në historitë e tyre, që më besoni, shumë as nuk iu hedhin sytë dhe as i dëgjojnë. Provoni dhe ju të zbrisni në ferr bashkë me ta për të zbuluar se njerëzit që i duan aq shumë nuk jetojnë më.

Është e drejtë dhe indinjata në rrjet, kjo indinjatë na detyron të korrigjohemi, të reagojmë, por përpiquni të bëni një dallim mes atyre që gabojnë pa dashje dhe atyre, që “të keqen” e të shëtmuarën e kanë mision dhe pasion. Në Report TV dhe te Shqiptarja.com janë bërë dhe me siguri do të bëhen gabime edhe në të ardhmen, por ADN-ja jonë është dhe do të jetë ajo e njerëzve të drejtë dhe të mirë, që nuk duan të lëndojnë me dashje dhe padrejtësisht Askënd.