Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme, e cila vendos kufizime të forta dhe censuron veprimtarinë e medias në pasqyrimin e proceseve gjyqësore, ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, duke përfunduar në fokusin e OSBE-së. Prania e OSBE-së në Shqipëri ka deklaruar se po e ndjek dhe analizon nga afër situatën e krijuar.

Institucioni ndërkombëtar po vlerëson nëse akti i hartuar nga kryetari në detyrë i GJKKO-së, Erion Bani, cënon garancitë e një gjykimi të drejtë, parimin e procedurave transparente dhe aksesin e gazetarëve në informacion. Sipas OSBE-së, po analizohet me kujdes nëse ky dokument përputhet me legjislacionin vendas, standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e ndërmarra për lirinë e medias.

Mësohet se, dokumenti i firmosur nga kryetari në detyrë i GJKKO-së sjell ndalime që praktikisht e bëjnë të pamundur mbulimin real dhe dinamik të seancave gjyqësore, duke e kthyer publicitetin e tyre nga rregull në përjashtim. Gazetarëve, të cilët tashmë duhet të marrin leje paraprake për çdo seancë, u ndalohet përdorimi i telefonave celularë.

Ky kufizim godet drejtpërdrejt transmetimin e informacionit në kohë reale dhe raportimin me mesazhe tekst nga sallurkat e gjyqit. Ndërkohë, organizatat dhe aktorët mediatikë e shohin këtë akt si një përpjekje të hapur për të zbehur transparencën dhe për të vendosur filtra të papranueshëm mbi punën e gazetarëve investigative.