Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit organizon në datat 3-5 prill Forumin FESTA – E ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm dhe Mjedisor në Shqipëri.
Nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama, ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit dhe pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm Zurab Pololikashivili, ky event ndërkombëtar i nivelit të lartë, dedikuar turizmit të qëndrueshëm, do të mbledhë në Tiranë më shumë se 300 pjesëmarrës nga 40 vende të botës.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e vlerësoi këtë organizim si angazhim të veçantë të qeverisë shqiptare për t’u orientuar drejt turizmit të qëndrueshëm, të përgjegjshëm dhe që respekton mjedisin.
“Java që vjen fillon me një ngjarje shumë të madhe për turizmin. E gjithë java, do të jetë e turizmit jo vetëm shqiptar, por edhe ndërkombëtar. E hapim me forumin më të madh ndërkombëtar kushtuar turizmit. Në Shqipëri, ku të gjitha mediat ndërkombëtare, të gjithë turoperatorët, ku të gjitha bizneset, sektori privat dhe publik gjejnë vendin e vogël me një model të veçantë: atë të turizmit të përgjegjshëm, të turizmit që respekton mjedisin. Kjo është Shqipëria që duam dhe për këtë, gjatë gjithë javës që vjen, nga Pallati i Kongreseve deri në “Expocity”, midis paneleve shumë të rëndësishme dhe midis panairit ju mirëpresim të gjithëve sepse përpara kemi një sezon fantastik turistik”, u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një deklaratë zyrtare për eventin.
Me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të politikës nga Ballkani dhe Europa, agjencive dhe përfaqësueve të industrive që operojnë në sektorin e udhëtimit dhe turizmit si dhe pjesmarrjen e veçantë të Frans Timmermans, Zv/President Ekzekutiv i Komisionit Evropian për Marrëveshjen e Gjelbër, ky forum do të nisë me një ceremoni zyrtare të hapjes mbajtur nga Bettany Hughes historiane, autore dhe një prej figurave televizive më të njohura në Britaninë e Madhe.
Gjatë tre ditëve të forumit, 70 folës të ndarë në 7 panele tematike do të diskutojnë tema të rëndësishme lidhur me turizmin e qëndrueshëm dhe trendet e së ardhmes së tij, si roli i qeverive, strategjitë e zhvillimit, brand-imi, profesionet dhe profilet e reja të këtij sektori.
Për të gjithë ata që janë pjesë e industrisë së turizmit dhe udhëtimit, datat 3, 4 dhe 5 prill do të jenë një mundësi për të dëgjuar ekspertët e fushës, për të krijuar lidhje biznesi e partneriteti, për të shkëmbyer përvoja e për t’u njohur me ofertat e tregut të turizmit.