50 mijë fermerë kanë aplikuar deri tani, që nga dita e hapjes së thirrjes më 20 mars, për masën e mbështetjes me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bëri të ditur se qëllimi i kësaj mase është lehtësimi i kostove për fermerët dhe rritja e rendimentit të prodhimit.
Sipas AZHBR-së, interesi i fermerëve për të përfituar nga Skema Kombëtare është tejet i lartë dhe kjo falë mbështetjes financiare për këtë sektor, që ka qenë çdo vit në dispozicion të tyre. Skema e mbështetjes për naftë falas, vijon për të tretin vit radhazi me një buxhet prej 1.4 miliardë lekë.
Aplikimet kryhen on-line përmes portalit e-Albania në linkun: https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx… ose pranë Agropikave dhe zyrave të ekstensionit bujqësor deri në datë 11 prill.
Mbështetja me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi, është masa 9 e Skemës Kombëtare 2023, ndërkohë që përfitues të Skemës do të jenë fermerë të serrave, vreshtave, blegtorët, bletarët, peshkatarët dhe atyre që aplikojnë për certifikimet Global Gap dhe Organike.
Skema Kombëtare e këtij viti përfshin edhe grante për investime në asete fikse, për ndërtimin e tregjeve bujqësore dhe të kafshëve të gjalla dhe thertoret si dhe masën për trajnime në bujqësi. Fermerët aplikojnë për masën e mbështetjes me naftë dhe njërën nga 9 masat e Skemës Kombëtare.