Ankandi i parë në Bursën Shqiptare të Energjisë hidhet sot duke i hapur rrugë kështu zyrtarisht operimit të kësaj burse. E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, Yuri Kim, e cila në fjalën e saj tha se Shqipëria duhet të përmirësojë klimën e biznesit.
“SHBA po e ndihmon sektorin energjetik shqiptar për të rritur transparencën dhe konkurrencën. Do të ketë më shumë furnizim dhe çmime më të lira. Lidhja e tregut Shqipëri-Kosovë do ta bëjë më të fortë atë”, u shpreh Kim.
Në një vendim të marrë pak ditë më parë qeveria shqiptare miratoi procedurat mbi të cilat do marrë jetë aktiviteti i bursës shqiptare të energjisë. Sipas vendimit, Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, vendoset ndërmjet transaksioneve të palëve brenda tregut të energjisë elektrike dhe merr rolin e blerësit kundrejt kundërpalës shitëse dhe rolin e shitësit kundrejt kundërpalës blerëse, me qëllim garantimin e transaksioneve.
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, sipas modelit të tregtimit të energjisë elektrike, nuk kryen në mënyrë të drejtpërdrejtë veprimtari të shitblerjes së energjisë elektrike, por ofron shërbimin e administrimit e të garantimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet platformës së tregtimit, klerimit dhe shlyerjes, si kundërpalë qendrore. Duke pasur këtë rol për të gjitha transaksionet që kryhen në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, si në blerje ashtu edhe në shitje të energjisë elektrike, Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike ka edhe përgjegjësinë e lëshimit të faturës, si për blerësin ashtu edhe për shitësin e energjisë elektrike.
Në vendim përcaktohet se Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike lëshon një faturë tatimore për anëtarin e saj që nga transaksionet e përmbyllura gëzon pozicionin e blerësit të energjisë elektrike, e cila do të jetë me TVSH të përjashtuar.
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike lëshon një faturë tatimore, në emër të anëtarit të saj, i cili nga transaksionet e përmbyllura gëzon pozicionin e shitësit të energjisë elektrike. Kjo faturë do të jetë me TVSH të përjashtuar.
Sipas vendimit, në rastin kur blerësi i energjisë elektrike e përdor atë për nevojat e veta, duke mos pasur si qëllim që ta rishesë, ai përgatit një faturë tatimore, në të cilën është edhe në pozicionin e shitësit edhe në pozicionin e blerësit. Ky furnizim do t’i nënshtrohet normës standarde 20% të TVSH-së. Në rastin kur blerësi i energjisë elektrike ia furnizon energjinë elektrike një personi të tatueshëm brenda vendit, faturimi do t’i nënshtrohet normës standarde 20 % të TVSH-së. Në rastin kur blerësi i energjisë elektrike ia furnizon energjinë elektrike një personi të tatueshëm jashtë Republikës së Shqipërisë, faturimi do të trajtohet me shkallë 0 % të TVSH-së.