04 Prill, Tiranë- Përfundon faza e parë e investimit në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka inspektuar investimin e ri, që është ndërhyrja e parë e plotë në këtë qendër kombëtare, pas më shumë se katër dekadash.
“Faza e parë e punimeve dhe investimit në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut ka përfunduar, ne bëhemi gati për fillimin e fazës së dytë. Tashmë ne rrisim cilësinë dhe standardin në Qendrën tonë Kombëtare, e cila koordinon të gjithë strukturat dhe bankat e gjakut në të gjithë Shqipërinë, duke mundësuar të kemi më shumë kapacitete sa i përket përpunimit të gjakut, grumbullimit të gjakut dhe kërkimit shkencor. Kemi vendosur si objektiv që ky investim së bashku edhe me pajisjet, të përfundojë në muajin qershor të këtij viti”,- deklaroi Manastirliu.
Gjatë inspektimit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale foli edhe për digjitalizimin e bankave të gjakut.
“Me sistemin e ri informatik të menaxhimit të bankave të gjakut do kemi mundësi që të kemi në kohë reale të gjithë rezervën e gjakut të evidentuar, do të kemi mundësi që fushatat tona të ndërgjegjësimit për të dhuruar gjak, të jenë jo vetëm më intensive, por të kemi mundësi edhe të kemi evidenca shkencore dhe në kohë për të gjitha ata të cilët janë dhurues vullnetarë”,- nënvizoi Manastirliu.
Transformim i qendrës së dhurimit dhe bankës të gjakut, pajisje të teknologjisë së lartë, rikonstruksion i plotë i godinës, por edhe riorganizim i shërbimeve, janë të parashikuara në investimin që pritet të përfundojë brenda këtij viti në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Ndërhyrja e plotë në strukturën e godinës, do të mundësojë ngritjen e një qendre dinjitoze dhe bashkëkohore të cilësisë të lartë, e cila do të plotësohet me shërbimet laboratorike, të përpunimit dhe menaxhimit të bankës së gjakut, sipas standardeve evropiane. Investimi në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut do të rrisë edhe kapacitetet e burimeve njerëzore të shërbimit shëndetësor, por edhe do të çojë në një tjetër nivel edhe kërkimin shkencor në këtë fushë.