Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim më Kavajë me përfaqësues të biznesit të madh për rritjen e pagës minimale.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se e gjithë Europa është në një situatë dramatike për krahun e punës dhe çdo vit tregu kërkon forca të reja pune gjë që po i bën edhe vendet më të zhvilluara që të turren mbi të tjerët për të marrë sa të munden kah pune, të reja e të rinj.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se ne duhet të përballemi me këtë problem dhe për këtë arsye, ai shtoi se, duhen bashkuar forcat për të ecur në dy drejtime.

“Rritja e domosdoshme e pagave, por paralelisht me këtë, në drejtim të shpjegimit me sa më shumë realizëm, ndershmëri e sinqeritet që vërtetë Gjermania ka paga më të larta se këtu, por nuk është aq dallim i madh sa ç’duket kur e shikon nga larg për ata që nisen dhe mendojnë që paga i thotë të gjitha. Ka pastaj një sërë gjërash të tjera që s’duken kur shikon pagë më pagë. Janë taksat, shpenzimet e tjera për qera transport”, u shpreh Rama.

Sipas tij, Shqipëria nuk është më ajo që ishte disa vite më parë.

“Shqipëria ka hyrë në faqe të re edhe ekonomikisht. Fakti që jemi në gjendje të bëjmë rritje pagash të paimagjinueshme disa vite më parë duke e çuar pagën mesatare në 900 euro brenda një viti, me dy hapa që ka filluar dhe hapi tjetër në fillim të vitit të ardhshëm, nga 530 euro që e kemi është thuajse dyfishim dhe kjo vjen si rezultat i rritjes së mundësisë ekonomisë për të krijuar më shumë punë dhe të ardhura”, nënvizoi Kreu i Ekzekutivit.

Ai theksoi se këtë linjë duhet ta ndjekë edhe sektori privat për të mos falimentuar.

“Mund ta mbash pagën të ulët, por mund ta pësosh si ai që tha që: ‘Sa e mësova gomarin të mos hante, më ngordhi. Çudi e madhe’. Nuk është çështja e një personi në punë, por e një personi që është i kualifikuar dhe që për ta zëvendësuar atë problemi është se ai tjetri duhet ta dijë ta bëjë atë punë”, theksoi Rama.

Sipas tij, “janë disa sektorë që kanë nevojë për këtë shkundje në këtë drejtim, pasi sikur kjo të ndikojë përkohësisht në fitim duhet bërë patjetër për të mos falimentuar nesër për shkak të gomarit që ngordhi”.

Kreu i Qeverisë theksoi që nuk mund t’i mbahet punonjësit pensioni, duke mos i paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, dhe nuk mund të vazhdohet më me pak në bankë dhe pak nën dorë.

“Të gjitha këto kanë ndodhur. Ka qenë një fazë e caktuar e zhvillimit dhe ekonomisë, por edhe në ato vendet që kanë vazhduar të ndodhin dhe që janë më të zhvilluara sesa ne, po e kuptojnë që kjo s’mund të bëhet më dhe s’të pranon më njeri”, u shpreh Rama.