Kryeministri Edi Rama, në takimin që zhvilloi sot në Libohovë, tha se qeveria ka bërë rritjen më të lartë historike të pagave, që ka nisur tani dhe do të përmbyllet prillin tjetër, duke e çuar pagën mininale në sektorin publik në 900 euro, nga 550 euro që ishte dhe duke bërë që dhe paga në sektorin privat të shtyhet fort përpara.
Në takimin informues me biznese, kryeministri Rama shprehu mbështetje gjithëpërfshirëse, me synimin për të sjellë një tjetër vrull të ri ekonomik të zonës, rritjes së punësimit dhe të pagave.
Rama u ndal edhe në politikat mbështetëse për mbarëvajtjen e punës mes punonjësve dhe sipërmarrësve. “Duam të vëmë një theks shumë të fortë. Duke nisur nga paga minimale, që sot është rritur 40 mijë lekë dhe përtej parashikimit të programit elektoral, jo vetëm të PS por edhe të tjerëve, që tek e fundit premtojnë edhe nënë dhe babë, sepse e dinë që në fund nuk do t’i kërkojë njeri llogari, por edhe ata e kishin parashikuar 38 mijë lekë deri në 2025. Sot është 40 mijë lekë dhe 45 deri në 2025 dhe ambicia jonë është të shkojë në 60 mijë lekë”, tha Rama.
Gjithashtu, vijoi Kryeministri, ne duam dhe do të adresojmë politika edhe për rritjen e të ardhurave për frymë.
“Ne i kemi dyfishur të ardhurat për frymë nga 3300 euro për frymë në 6400 euro dhe do t’i çojmë në 9 mijë euro. Të gjitha këto bëhen bashkë dhe rritja e pagave duhet konsideruar një prioritet kombëtar dhe një ambicie e përbashkët e qeverisë dhe biznesit”, deklaroi Rama.