Janë rikthyer tensionet në veri të Kosovës. Pasditen e sotme rreth orës 16:30, një shtetas i Serbisë ka sulmuar fizikisht një zyrtar të Policisë së Kosovës në pikën kufitare të Jarinjës, pas refuzimit për të treguar dokumentacion.

Sipas deklaratës së Policisë së Kosovës, i dyshuari me inicialet N.T., i lindur në vitin 1981, fillimisht ka fyer efektivin e më pas ka kaluar në sulm fizik ndaj tij.

“Pas refuzimit për të treguar dokumentacionin e hyrjes në Kosovë, i dyshuari N.T., (viti i lindjes 1981, shtetas serb i Serbisë) ka filluar të fyej zyrtarët policorë që ishin në detyrë zyrtare në Pikën e Kalimit Kufitar. Të dyshuarit i është kërkuar nënshkrimi i dokumentit/vendimit për refuzim të hyrjes në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sulmi që ka pasuar, e ka lënë të lënduar zyrtarin policor, duke e detyruar që të kërkojë trajtim mjekësor.

“Ai nuk ka pranuar të nënshkruaj atë vendim dhe ka sulmuar njërin nga zyrtarët policor të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore. Polici i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në deklaratë.