Artur Ajazi

Partia që pretendon se “mbart vlerat e demokracisë amerikane”, apo dhe që “jemi e vetmja forcë politike në Shqipëri që jemi 100 per qind proamerikanë”, sot po përjeton shpërfytyrimin e saj politik. Kalimi nga “pro” në “antiamerikanizëm”, mbetet moraqli dhe vlera e vërtetë e një partie si ajo e Sali Berishës. Ish-lideri që mburret me vizitat në Shtëpinë e Bardhë, apo dhe takimet me Bushin e madh dhe të riun, kishte menduar se nuk do të prekej përjetësisht nga amerikanët.

Damkosja “non-grata” nuk është meritë e asnjë ambasadori, e asnjë ministri apo dhe e kryeministrit Rama, por direkt e mëkateve që janë bërë përgjatë 3 dekadave nga qeverisja e Partisë Demokratike. Mjaftoi vetëm një vendim i tillë nga DASH-i, që Sali Berisha dhe suita e tij në atë parti, ti suleshin ambasadores, DASh-it, institucioneve të drejtësisë amerikane, dhe të thurrnin skenare folklorike të padëgjuara.

Brënda Partisë Demokratike, ekziston sot një grupim i caktuar emrash dhe funksionarësh të asaj force politike, që kanë dalë hapur kundër Ambasadës së SHBA-së, DASH-it, dhe politikave demokratizuese dhe siguruese të shtetit më të madh demokratik në botë. Natyrisht duke mos përjashtuar thellësisht interesat e tij personale dhe klanore, Sali Berisha po e kthen totalisht partinë kundër SHBA.

Nuk dëgjon asnjë deputet mbështetës të tij, të reagojë pozitivisht ndaj kësaj gjuhe urrejtje ndaj SHBA. Ata i janë bashkuar korit të Berishës, po thumbojnë ambasadoren, po shigjetojnë dhe akuzojnë atë për korrupsion, një çmënduri e padëgjuar, e cila do të ketë kosto të madhe morale elektorale dhe politike për atë pjesë të asaj PD-je.

Të flasësh me gjuhën e urrejtjes krahinore ndaj një ambasadore të SHBA-së, ti kundërvësh asaj deputetë dhe zyrtarë të partisë për të mbrojtur ish-liderin e shpallur “non-grata”, është më tepër se alarm brënda asaj force politike. Orientimi leninist që Sali Berisha po i bën asaj force politike, mbetet faza e fundit e shkatërrimit substancial të Partisë Demokratike.

Vula, simbolet, selia, apo dhe pretendime të tjera absurde që ish-lideri kërkon të marrë nga gjyqsori, janë thjesht pretekse për t’ju sulur DASH-it, dhe zonjës Yuri Kim.

Akuza të fabrikuara mjeshtërisht nga ish-lideri, si njeriu i skenareve përgjatë 32 viteve në skenën politike, po u serviren mbështetësve në takimet elektorale si “njolla turp ndaj vendimit të DASH-it dhe ndikimit të ambasadores Kim, për “non-grata” të Berishës”.

Vala e antiamerikanizmit në PD-në e Berishës, mbetet në fakt vërtetësia ideologjike e mentalitetit dhe formimit të tij politik.