Sot është dita e tretë e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë! Ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi do të mbajë sot fjalën, pasi ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit i paraqitën qëndrimet e tyre të martën.

Gjatë ditës së dytë të gjykimit, trupit gjykues iu drejtuan dy të akuzuarit: Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi. Mbrojtja e Hashim Thaçit tha se klienti i tyre nuk ka pasur fuqi komanduese mbi UÇK-në, e as nuk ka ushtruar pushtet efektiv si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme.Ndërsa mbrojtja e Kadri Veselit tha se ndaj tij nuk ka asnjë provë e dëshmitarë që e lidh me krimet e pretenduara në aktakuzë Sipas mbrojtjes së Rexhep Selimit, në aktakuzë nuk ka aludime se ai ka urdhëruar ndonjë krim të pretenduar

Gjatë fjalimit para trupit gjykues, ish-eprori i UÇK-së, Hashim Thaçi, tha se ndien keqardhje për të gjitha viktimat dhe sërish u shpreh së është i pafajshëm. Thaçi tha se ky gjykim ka shfajësuar atë, UÇK-në dhe popullin e Kosovës me pretendimet për trafikim organesh. Ish-eprori i UÇK-së, Rexhep Selimi, gjatë fjalimit të tij para trupit gjykues tha se ai nuk ka frikë nga drejtësia, por “nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë”, duke shprehur bindjen se në fund të procesit gjyqësor do të dëshmohet pafajësia e tij.

Por ç’ ndodhi në ditën e parë të gjyqit të ish krerëve të UÇK-së?

Në ditën e parë të deklaratave hyrëse, prokurorët e specializuar prezantuan rastin e tyre duke argumentuar se katër të akuzuarit kishin themeluar dhe udhëhiqnin një ndërmarrje të përbashkët kriminale që kishte objektiv kundërshtarët, por që përfshinin edhe ata që konsideroheshin: Tradhtarë; Kolaboracionistë; Mbështetës ose anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në thelb, Prokuroria Speciale u shpreh se gjykimi nuk i shkonte në fakt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por këtyre 4 individëve të cilët përpos se ishin drejtues kishin për qëllim që të shfrytëzonin organizatën apo nismën e tyre në luftë, për qëllime vetjake pushteti.

Prokuroria tha se do të dëshmojë se të akuzuarit kanë “personalisht përgjegjësi” për krimet për të cilat ngarkohen. Një ndër argumentet që ata mbështetën për këtë tezë të tyren ishte fakti se shumica e viktimave në fakt ishin shqiptarë. Sipas Whiting, provat e Prokurorisë së Specializuar do të tregojnë se të akuzuarit “mbështetën dhe zbatuan një politikë, e cila vinte në shënjestër ata persona, që konsideroheshin prej tyre si kundërshtarë, përfshirë ata që akuzoheshin si kolaboracionalistë – shpesh mbështetur në asgjë pos lidhjeve me institucionet serbe – si dhe personat e perceptuar jombështetës të qëllimeve apo mjeteve të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së përkohshme të Kosovës”. Prokuroria argumentoi se në mesin e kundërshtarëve përfshihen edhe personat e lidhur me LDK-në, ata me përkatësi etnike apo rome.

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.