Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka argumentuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, në Euronews lejet e ndërtimit të dhëna vitet e fundit. Veliaj nënvizoi se jo çdo leje është një pallat, pasi aty përfshihen edhe lejet për rikonstruksione, objekte arsimore, çerdhe etj.
“Po marr një segment, nga 2016-2021 për lejet që janë leje të mirëfillta ndërtimi. Po të shikoni, vetëm 30% janë objekte pallate që quhen ndërtime të larta, jo shtëpi përdhese. Pjesa tjeter janë objekte të ulëta komplekse, si këto që keni këtu në Farkë dhe në periferinë e Tiranës, në zonën e Dajtit, në zonën e Mulletit, në zonën e Baldushukut, në zonën e Vaqarrit. 30% tjetër janë rikonstruksion, çati, prishje ndërtimi, mbulesë muri rrethues, shtesë volumi etj. Bëhet fjalë për objekte ose leje që janë ose meremetim ose riparime të atyre ekzistuese. Jo çdo leje është një pallat dhe këtë duhet ta keni të gjithë të qartë. Kjo pjesa tjetër me të gjelbërtën janë objekte industriale. Maten metrat katror të territorit ku ka funksion leja. Ne kemi një detyrim të raportojmë të gjitha këto leje”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se numri i ndërtesave të larta në kryeqytet është me i ulët. “Për qendrën, nga të gjitha këto 1000 leje, ti nuk ke më shumë se 6 kulla të mirëfillta në Tiranë. Nëse duam Tiranën si jashtë shtetit do e bëjmë si jashtë shtetit. Nëse duam me qerpiç, ne me qerpiç e kishim dhe nuk është se na eci shumë edhe me ekonominë, dhe me turizmin dhe me biznesin. Nuk është se ishte qyteti i ëndrrave. Këtu bëhet fjalë vetëm për pak ndërtesa të larta në qendër, si të gjithë ne që kanë shkuar edhe jashtë dhe kanë parë edhe qendrat e qyteteve. Quhet leje dhe regjistrohet në INSTAT çdo shkresë e bashkisë që të jep mundësinë të ndryshosh një realitet fizik”, deklaroi Veliaj.
Sipas Veliajt, nëse nuk do të ishte për industrinë e ndërtimit 100 mijë vetë do të kishin ngelur pa punë. Ai theksoi se ata janë dhe taksapaguesit më të mëdhenj.
“Nuk më rezulton që shikoni më njerëz me matrapik rrugëve. Nëse i shohim faqet e INSTAT-it duhet t’i shohim të gjitha. Jo vetëm sa ndërtohet dhe cilat leje janë dhe tipologjinë e lejes, se dhe një që shtron pllakat e banjës duhet të marrë leje apo që ndërron çatinë, por duhet të shikoni dhe çfarë sjell te ajo faqja tjetër e INSTAT-it, te punësimi. Na rezulton që 100 mijë veta punojnë në ndërtim” – deklaroi kryebashkiaku.